Botë

Trumpi i rezervuar për ta ofruar garancinë e kërkuar ushtarake për Ukrainën

Keir Staermer - Donald Trump

Keir Starmeri dhe liderë të tjerë evropianë po përpiqen që të sigurohen se plani mund të funksionojë vetëm me mbështetjen e SHBA-së për trupat evropiane – qoftë edhe përmes inteligjencës, mbikëqyrjes apo edhe përgjigjeve në raste të shpejta të shkeljeve të mundshme të marrëveshjes. E i pyetur se a do të ishte SHBA-ja e gatshme t’i mbështeste në raste të tilla, Trumpi ka thënë se “britanikët mund t’i dalin zot vetes shumë mirë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka qenë i rezervuar të ofrojë garanci të kërkuar ushtarake për Ukrainën, në një mision të mundshëm paqeje nga evropianët, po qe se arrihet marrëveshje armëpushimi me Rusinë. Ai ka thënë se ka besim që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të bëjë presion për të rinisur luftën nëse arrihet ndonjë armëpushim.

Trumpi i dha komentet në nisje të takimit në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin britanik, Keir Starmer, në të cilin pritej që t’ia bënte të qartë presidentit republikan se lidershipi amerikan do të jetë kyç në ruajtjen e paqes në Ukrainë, po qe se i jepet fund luftës trevjeçare.

“Mendoj se ai do ta mbajë fjalën”, ka thënë Trumpi për Putinin. “Kam folur me të. E njoh qe një kohë të gjatë”.

Vizita e Starmerit erdhi pak ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, e vizitoi Trumpin. Vizita reflekton shqetësimet e ndiera në Evropë se përpjekjet agresive të Trumpit për t’i dhënë fund luftës sinjalizojnë gatishmërinë e tij për t’u dorëzuar para Putinit. Starmeri e Macroni kanë thënë se janë pajtuar të dërgojnë mision paqeruajtës në Ukrainë për të siguruar të mos shpërthejnë sërish luftimet, nëse veç arrihet marrëveshje paqeje. Starmeri dhe liderë të tjerë po përpiqen që të sigurohen se plani mund të funksionojë vetëm me mbështetjen e SHBA-së për trupat evropiane – qoftë edhe përmes inteligjencës, mbikëqyrjes apo edhe përgjigjeve në raste të shpejta të shkeljeve të mundshme të marrëveshjes.

E i pyetur se a do ta ishte SHBA-ja e gatshme t’i mbështeste në raste të tilla, Trumpi ka thënë se “britanikët mund t’i dalin zot vetes shumë mirë”.

“Duhet të dihet që janë shtetet evropiane sepse janë aty afër. Ne jemi shumë larg. Kemi një oqean mes nesh. Por duam të sigurohemi që funksionon. Nuk e di a mund të themi mbështetje. Por ne jemi të tillë sepse do të jemi aty, do të jemi duke punuar në shtet. Prandaj nuk mendoj se do të keni problem”, ka thënë Trumpi.

Raportet mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë janë shkundur që nga ardhja e Trumpit në pushtet. Administrata Trump ka mbajtur javën e shkuar takime me Rusinë pa palën ukrainase apo aleatë të tjerë evropianë. Dhe këtë javë SHBA-ja refuzoi ta nënshkruante rezolutën e Kombeve të Bashkuara që e fajësonte Rusinë për luftë, në trevjetorin e saj. Administrata e tij po refuzon të thotë se Trumpi po injoron Evropën ose se është i etur për bisedime me Putinin.

Në një takim që pritet të mbahet të premten, Trumpi dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të nënshkruajnë një marrëveshje në të cilën SHBA-së do t’i jepej qasje në mineralet kyç të Ukrainës, që përdoren në industritë e mbrojtjes nukleare. Zelensky ka kundërshtuar marrëveshje pa ofrim të garancive të sigurisë nga Washingtoni.

Vetë Trumpi nuk ka pranuar të flasë për ndonjë garanci amerikane të sigurisë, por ka thënë se Rusia duhet të mendojë dy herë për ta sulmuar Ukrainën nëse SHBA-ja ka gjurmë ekonomike në Ukrainë për mineralet.

Starmeri në anën tjetër ka thënë se është e rëndësishme që të ketë siguri që paqja do të jetë e qëndrueshme.

“Nëse do të ketë marrëveshje, duhet të sigurohemi se është e tillë që zgjat, që s’është e përkohshme. Një që zgjat dhe kjo është ajo që na duhet”, ka thënë ai.

I pyetur për deklaratën e mëhershëm të tij, në të cilën e pati quajtur Zelenskyn diktator, Trumpi ka thënë se nuk e beson që e ka thënë këtë.

Ai e ka quajtur Starmerin “negociator të vështirë”, teksa ka lavdëruar raportet ndërshtetërore.

Trumpi po ashtu po përpiqet ta shfrytëzojë momentin edhe për t’i rihapur raportet ekonomike me Rusinë tre vjet pasi SHBA-ja udhëhoqi vendosjen e sanksioneve ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Starmeri pritet të mbajë të dielën një takim me liderë ndërkombëtarë me fokus për Ukrainën. Në Mbretërinë e Bashkuar pritet që të jetë i pranishëm edhe Zelensky. Kryeministri britanik po ashtu ka njoftuar se Britania do t’i rrisë shpenzimet për mbrojtje.

Starmeri të enjten ia ka dorëzuar Trumpit një ftesë në emër të mbretit Charles për vizitë dhe Trumpi e pranoi. Kryeministri britanik ka thënë se ftesa për vizitë të dytë zyrtare është “historike” dhe “e paprecedent”. Trumpi ishte ftuar për vizitë edhe në mandatin e parë.