Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump “i ka detajuar” planet për paqe ndërmet Rusisë dhe Ukrainës.
Orbani e ka përmendur këtë në një letër që ua ka dërguar krerëve të BE-së për t’ua shpjeguar vizitat e tij të javëve më parë në Moskë e Pekin, raporton The Guardian.
Kryeministri hungarez i cili e ka takuar Trumpin në kompleksin e tij në Palm Beach javën e kaluar, ka thënë në letrën e tij drejtuar Këshillit Evropian, i cili përfshin liderët e 27 vendeve të bllokut, se kandidati për president të SHBA-së është i gatshëm të veprojë si ndërmjetës paqe “menjëherë” pas zgjedhjes.
"Rezultati i mundshëm me fitore për Trumpit do të thotë që BE-ja duhet të rihapë kontaktet e drejtpërdrejta diplomatike me Rusinë dhe negociatat e nivelit të lartë me Kinën", ka shkruar Orban në letrën drejtuar presidentit të Këshillit, Charles Michel, e cila u raportua për herë të parë nga “Financial Times”.
Kryeministri hungarez ka thënë se fitorja e mundshme e Trumpit do të nënkuptonte se barra financiare e mbështetjes së përpjekjeve luftarake të Ukrainës do të zhvendosej në disavantazh të BE-së.
"Jam më se i bindur se me fitoren e mundshme të Trumpit, përqindja e barrës financiare midis SHBA dhe BE-së do të ndryshojë ndjeshëm në disavantazh të BE-së kur bëhet fjalë për mbështetjen financiare të Ukrainës”, ka shkruar ai.
Orbani ka shkruar gjithashtu se pas bisedimeve të tij të fundit me presidentin rus, Vladimir Putin, presidentin kinez, Xi Jinping dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, është kuptuar se "intensiteti i konfliktit ushtarak do të përshkallëzohet rrënjësisht në të ardhmen e afërt”.
Letra u publikua pasi Komisioni Evropian mori vendimin e paprecedentë për të bojkotuar takimet e organizuara nga Budapesti si pjesë e presidencës hungareze të BE-së.