Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se janë duke zhvilluar "bisedime direkte" me Iranin për çështjen e programit bërthamor, ndërsa shtoi se “do të kenë takim shumë të madh” të shtunën, raporton “BBC”.
“Jemi duke negociuar me iranianët. Ndoshta një marrëveshje do të arrihet, do të ishte fenomenale”, tha Trump.
Ai ka thënë se marrëveshja “do të ishte gjë e madhe për Iranin”.
Trump tha se Irani "do të jetë në rrezik të madh" nëse diskutimet dështojnë.
Rusia më herët ka shprehur gatishmërinë të ndërmjetësojë bisedimet mes SHBA-së e Iranit. Trump kishte paralajmëruar Iranin se nëse nuk ka bisedime direkte për programin bërthamor të Teheranit, atëherë do të shqyrtojë mundësinë e bombardimit.
Ndërkohë Trump ka folur edhe për Houthit, grup i armatosur në Jemen që mbështetet nga Irani.
U tha se do të vazhdohen sulmet ndaj Houthive derisa të ndalohen sulmet ndaj anijeve amerikane.
E sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shtuar se i është thënë Iranit të mos i përkrahë Houthit.
Në paraqitjen në Zyrën Ovale, Trump ka folur edhe për Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se BE-ja duhet të blejë energji nga SHBA-ja dhe se SHBA-ja ka burime energjetike më tepër se kushdo tjetër.