Botë

Trumpi falënderon gruan që i shpëtoi jetën: Janë më të zgjuara se burrat

Donald Trump

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka falënderuar gruan që thotë se e pikasi autorin që dyshohet se po planifikonte atentat në fushën e tij të golfit në Florida të dielën.

Në daljen e parë që nga tentimvrasja – e dyta në dy muaj – Trumpi para një turme njerëzish në Flint tregoi për veprimet që ka bërë gruaja që i shpëtoi jetën. Ai shprehu dëshirën për takim me të.

“Ajo e pa të dyshuarin duke vrapuar drejt veturës së tij dhe i ngjalli dyshime. E ndoqi të dyshuarin deri në veturë dhe ia fotografoi targat. Seriozisht, kush do ta bënte këtë? Ishte vërtet e mrekullueshme”, ka thënë Trump teksa lavdëroi Shërbimin Sekret.

Kandidati republikan tutje tregoi se gruaja menjëherë ua dërgoi fotot autoriteteve.

“Gratë janë më të zgjuara se burrat”, ka thënë Trump.

Incidenti ndodhi pranë një prej klubeve të tij të golfit në Florida, vetëm nëntë javë pasi Trumpi mbijetoi një tjetër atentati në një tubim parazgjedhor në Pensilvani. Një 58-vjeçar i dyshuar u arrestua.

Agjentët e Shërbimit Sekret, të pozicionuar pranë fushës ku Trumpi po luante golf, vunë re grykën e një pushke të tipit AK, që po depërtonte në shkurret përreth, afërsisht 400 metra larg nga ish-presidenti.

Një agjent qëlloi dhe i armatosuri hodhi pushkën dhe iku me një makinë, duke lënë armën e zjarrit, së bashku me dy çanta shpine dhe një kamerë.

I dyshuari u ndalua më vonë nga forcat e rendit në një qark fqinj.