Ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka fajësuar presidentin aktual, Joe Biden dhe zëvendëspresidenten, Kamala Harris për atentatin e dështuar të muajit të kaluar kundër tij, duke i akuzuar ata se ia kanë bërë të vështirë Shërbimit Sekret mbrojtjen e tij.
Pretendimi i kandidatit republikan për president, për të cilin ai nuk ka ofruar prova, u bë në emisionin televiziv “Dr Phil”, të martën.
Deklarat e tij pason zbulimet se disa agjentë të Shërbimit Sekret nga zyra në Pittsburg ishin suspenduar përkohësisht pas sulmit të 13 korrikut, raporton The Guardian.
Gjatë një tubimi të fushatës në Butler, Pensilvani, muajin e kaluar, Trumpi është goditur në vesh nga një plumb, pasi një person i armatosur 20-vjeçar gjuajti me armë zjarri nga çatia e një ndërtese aty pranë.
Një pjesëtar i audiencës është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë si pasojë e të shtënave. Personi i armatosur ishte qëlluar për vdekje nga një oficer i Shërbimit Sekret në vendngjarje.
"Kur ndodhi kjo, njerëzit pyesnin i kujt është faji?. Unë mendoj se në një farë mase është faji i Bidenit dhe faji i Harrisit. Dhe unë jam kundërshtari. Ata e kanë armatosur qeverinë kundër meje... Ata nuk ishin shumë të interesuar për shëndetin dhe sigurinë time...Ata po e bënin shumë të vështirë që të kishte personel sa duhej për sa i përket Shërbimit Sekret”, ka deklaruar Trumpi.
Shërbimi Sekret e kishte pranuar në ditët pas atentatit ndaj Trumpit se sigurimi i ish-presidentit ishte ankuar për mungesë sigurie dhe personeli në dy vitet e mëparshme, duke pranuar se ata refuzuan disa kërkesa.
Mbrojtja e agjencisë ndaj Trumpit është shtuar që nga atentati.
Drejtoresha e agjencisë, Kimberly Cheatle, ka dhënë dorëheqjen pas një seance dëgjimore në Kapitol, në të cilën anëtarët republikanë të Kongresit e sulmuan atë për dështimin për t'iu përgjigjur në mënyrë adekuate pyetjeve mbi dështimet e mundshme të sigurisë që çuan në sulmin kundër Trumpit.
Megjithatë, nuk ka prova që Bideni dhe Harrisi, të cilët të dy e dënuan sulmin, ishin të përfshirë drejtpërdrejt ose ndërhynë në marrëveshjet e Shërbimit Sekret.