Rusia ka rënë dakord për një armëpushim të kufizuar mbi caqet energjetike dhe ato të infrastrukturës në Ukrainë, si pjesë e nismës së udhëhequr nga SHBA-ja për t'i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë të martën pasdite.
Në një deklaratë të lëshuar pas telefonatës së Donald Trumpit me homologun e tij rus, Vladimir Putin, Shtëpia e Bardhë ka thënë se të dy palët kanë rënë dakord të zhvillonin "negociata teknike" për një armëpushim detar, dhe, më tej, armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme, raporton The Guardian.
“Këto negociata do të fillojnë menjëherë në Lindjen e Mesme”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Trumpi dhe Putini gjithashtu "kanë rënë dakord që një e ardhme me një marrëdhënie të përmirësuar dypalëshe midis SHBA-së dhe Rusisë ka avantazhe të mëdha", me "marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik".
“Të dy udhëheqësit kanë rënë dakord se ky konflikt duhet të përfundojë me një paqe të qëndrueshme. Ata theksuan gjithashtu nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Gjaku dhe thesari që si Ukraina dhe Rusia kanë shpenzuar në këtë luftë do të shpenzoheshin më mirë për nevojat e popullit të tyre. Ky konflikt nuk duhet të kishte filluar kurrë dhe duhej të kishte përfunduar shumë kohë më parë me përpjekje të sinqerta dhe të mirëbesimit për paqen”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Udhëheqësit kanë rënë dakord se lëvizja drejt paqes do të fillojë me një armëpushim energjetik dhe infrastrukturor, si dhe me negociatat teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme.
Irani dhe Izraeli
“Udhëheqësit folën gjerësisht për Lindjen e Mesme si një rajon bashkëpunimi të mundshëm për të parandaluar konfliktet e ardhshme. Ata diskutuan më tej nevojën për të ndaluar përhapjen e armëve strategjike dhe do të angazhohen me të tjerët për të siguruar aplikimin më të gjerë të mundshëm. Të dy udhëheqësit ndanë pikëpamjen se Irani nuk duhet të jetë kurrë në një pozicion për të shkatërruar Izraelin. Të dy udhëheqësit ranë dakord se një e ardhme me një marrëdhënie të përmirësuar dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ka avantazhe të mëdha. Kjo përfshin marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik kur të arrihet paqja”, përfundon njoftimi i Shtëpisë së Bardhë.
Lista e gjatë e kushteve dhe kërkesave të Putinit
Deklarata e lëshuar nga Kremlini zyrtar ka njoftuar se përgjatë bisedës telefonike në mes të presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump, pala ruse “përshkroi një numër pikash të rëndësishme” që kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm, përfshirë “kontrollin efektiv” mbi çdo armëpushim përgjatë vijës së konfliktit, dhe kërkesën e Rusisë për ndalimin e mobilizimit të ukrainasve dhe rinovimin e forcave të saja të armatosura, së bashku me kërkesën më të gjerë për t’i “eliminuar shkaqet rrënjësore të krizës”.
Deklarata përmend “kushtin kyç” të Moskës për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit me një kërkesë për të “ndaluar plotësisht” ndihmën ushtarake të huaj dhe ndarjen e inteligjencës për Ukrainën, transmeton The Guardian.
Por deklarata konfirmon se Putini ka rënë dakord për një armëpushim 30-ditor sa i përket infrastrukturës energjetike dhe ka thënë se lideri rus ka lëshuar tashmë urdhrat përkatëse.
Teksti i Kremlinit thekson se Putini “ka reaguar konstruktivisht” ndaj propozimit për një armëpushim në det, me negociata të mëtejshme që priten rreth kësaj çështje.
Deklarata gjithashtu ka thënë se Putini ka informuar Trumpin mbi planet rreth shkëmbimit të 175 të burgosurve të luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, “si një gjest mirësie” si dhe një lëshim të mëtejshëm të 23 ushtarëve ukrainas “të plagosur rëndë.”
Në kuadër të saj, u përmenden edhe diskutimet e liderëve lidhur me Lindjen e Mesme dhe Detin e Kuq, si dhe shtytjen më të gjerë për “normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.”
