Shtabi i kandidatit republikan Donald Trump ka akuzuar Partinë Laburiste të kryeministrit britanik Keir Starmer për “ndërhyrje të hapur” në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së pasi vullnetarët laburistë udhëtuan në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar fushatën për kandidaten demokrate Kamala Harris, shkruan Reuters.
Fushata Trump ka paraqitur ankesë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve në Uashington, duke bërë thirrje për hetim të menjëhershëm për atë që e quajti “kontribut të paligjshëm të shtetasve të huaj për zgjedhjet presidenciale të bëra nga Partia Laburiste e Mbretërisë së Bashkuar dhe të pranuara nga Harrisi”.
Në ankesë është përfshirë postimi i fshirë në LinkedIn nga Sofia Patel, drejtuese e operacioneve në Partinë Laburiste, e cila ka shkruar se “gati 100” punonjës aktualë dhe ish-anëtarë të laburistëve do të udhëtojnë në SHBA javën e ardhshme për ta ndihmuar Harrisin në zgjedhje.
“Ata që kërkojnë ndërhyrje të huaja në zgjedhjet tona nuk duhet të shikojnë më larg se postimi i LinkedIn. Ndërhyrja po ndodh me pamje të qartë”, thuhet në ankesë.
Partia Laburiste e qendrës së majtë, e cila i sheh demokratët e SHBA-së si partinë simotër, mori pushtetin në korrik. Starmeri që atëherë ka kërkuar të ndërtojë lidhje me Trumpin, duke e takuar gjatë një vizite në New York në shtator.
Starmer ka thënë se nuk pret që ankesa të tensionojë marrëdhëniet me Trumpin nëse fiton zgjedhjet e 5 nëntorit, duke shtuar se vullnetarët laburistë kanë shkuar në SHBA për çdo palë zgjedhje.