Botë

Trump zgjedh prezantuesin e Fox News-it si sekretar të Mbrojtjes, shokohet Pentagoni

Pete Hegseth

Foto: Associated Press

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka zgjedhur Pete Hegsethin, prezantuesin e mediumit “Fox News” dhe veteranin e ushtrisë, për të shërbyer si sekretar i Mbrojtjes, raporton CNN.

Zgjedhja e Hegsethit ka qenë befasuese, meqë nuk ka qenë në mesin e personave të konsideruar si të zgjedhur të mundshëm nga anëtarët e ekipit të Trumpit, ka thënë një burim me njohuri në këtë çështje.

Burimet kanë thënë se ishte fakti që Trumpi kishte marrëdhënie të gjatë me Hegsethin që e ka sjellë në këtë zgjedhje, duke theksuar se presidenti i zgjedhur gjithmonë ka menduar se prezantuesi ishte “i zgjuar” dhe se ishte i impresionuar nga karriera e tij. Trumpit gjithashtu i pëlqen që Hegsethi është veteran i ushtrisë dhe rrëfimi i kohës së shërbimit të tij në librin e veteranit, kanë thënë burimet.

Zgjedhja e Trumpit është largim i dukshëm nga zgjedhjet e mandatit të parë për sekretarin e Mbrojtjes, kur ai e pati zgjedhur gjeneralin e lartë, James Mattis, dhe sekretarin e ushtrisë, Mark Esper, për ta udhëhequr Pentagonin. Por, Trumpi përfundimisht është hidhëruar me këta sekretarë dhe i ka kritikuar ashpër, pasi Mattis ka dhënë dorëheqjen dhe Esperi është shkarkuar.

Një zyrtar i mbrojtjes ka thënë se “të gjithë janë thjesht të tronditur”. Një tjetër zyrtar i Pentagonit, i cili po ndiqte zgjedhjet e mundshme për sekretarin e Mbrojtjes, ka mësuar për Hegsethin vetëm disa orë përpara emërimit dhe si të tjerët, nuk ka ditur si të reagonte.

Edhe disa ish-zyrtarë të Trumpit që janë akoma të afërt me ish-kolegë dhe kanë qenë në dijeni për tranzicionin janë zënë në befasi. Një ish-zyrtar i Trumpit gjithashtu ka thënë se janë “shokuar” nga zgjedhja dhe se presin të ketë përpjekje për “ta larguar nga pozita”.

Në të vërtetë, me zgjedhjen e Hegsethit, Trumpi ka të ngjarë të ketë nisur atë që mund të jetë beteja e parë konfirmuese për një zgjedhje të kabinetit. Ndërsa republikanët e Senatit kryesisht në shumicë pritet ta respektojnë zgjedhjen e Trumpit.

Në një deklaratë që e ka shpallur Hegsethin, Trumpi e ka vlerësuar të kaluarën e tij ushtarake, qëndrimin si prezantues i “Fox News” dhe librin e tij shumë të shitur.

“Pete ka kaluar tërë jetën e tij si luftëtar për Ushtrinë dhe për vendin”, ka thënë Trumpi në një deklaratë të së martës. “Pete është i fortë, i zgjuar dhe besimtar i vërtetë se Amerika vjen e para. Me Pete në krye, armiqtë e Amerikës janë në dijeni - Ushtria jonë do të jetë përsëri e fuqishme dhe se Amerika nuk do të tërhiqet kurrë”.