Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do t’i mbrojnë aleatët e NATO-s që nuk shpenzojnë sa duhet në mbrojtje, raportoi The Guardian.
“Mendoj se është logjikë e shëndoshë”, ka thënë presidenti amerikan para mediave në Zyrën Ovale.
“Nëse ata nuk paguajnë, unë nuk do t’i mbroj ata”, ka shtuar ai.
Ai vazhdoi duke thënë se vendet anëtare të NATO-s nuk po paguajnë mjaftueshëm sa i përket fushës së mbrojtjes, duke iu bërë thirrje që të harxhojnë më shumë.
Trump ka deklaruar tutje se homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky po dëshiron të bëjë marrëveshje, ka raportuar BBC.
Ai të enjten u shpreh se Ukraina s'ka zgjidhje tjetër, derisa shtoi se të njëjtën gjë e dëshiron edhe Rusia.
“Unë po ashtu mendoj se Rusia dëshiron të bëjë një marrëveshje pasi në një mënyrë të caktuar - një që vetëm unë e di, ata s'kanë zgjidhje tjetër”, ka thënë ai.
Po ashtu ai ka thënë se administrata e tij po zhvillon bisedime me grupin militant palestinez, Hamas, për t’i liruar pengjet e mbetura në Gaza.
“Ne po zhvillojmë bisedime me Hamasin. Ne po ndihmojmë Izraelin në këto bisedime, sepse po flasim për pengjet izraelite”, ka thënë presidenti amerikan.
“Duhet të negociohet. Ka një dallim midis negocimit dhe pagesës. Ne duam t’i lirojmë ata njerëz”, ka shtuar ai.
Emisari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të enjten gjatë ditës, se diskutimet midis administratës dhe Hamasit “kanë filluar rishtazi”.
Konfirmimi për bisedimet vjen ndërsa armëpushimi në Gaza vazhdon. Ky është angazhimi i parë direkt mes SHBA-së dhe Hamasit që kur Departamenti i Shtetit e shpalli grupin si organizatë të huaj terroriste në vitin 1997.