Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është takuar të mërkurën në New York me presidentin polak, Andrzej Duda.
Duda ka shprehur mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën dhe ka inkurajuar Washingtonin që t’i ofrojë më shumë ndihmë Kievit, në kohën kur Rusia ka intensifikuar ofensivën e saj, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Duda është i fundit në linjën e liderëve të huaj që Trump është takuar në javët e fundit, derisa ish-presidenti amerikan po synon rikthimin në pushtet.
Edhe pse në Poloni u ngritën shqetësime se vizita e presidentit Duda mund të dëmtonte marrëdhëniet e vendit me administratën e presidentit Joe Biden, senatori demokrat Chris Murphy, i cili është aleat i ngushtë i Bidenit, ka thënë se vizitat si kjo nuk janë të pazakonta, duke theksuar se ish-presidenti Barack Obama, si kandidat, bëri një turne të gjatë ndërkombëtar përpara zgjedhjeve presidenciale.