Ekipi i fushatës së kandidatit republikan Donald Trump të martën ka paraqitur ankesë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve (FEC) kundër zëvendëspresidentes Kamala Harris, duke e akuzuar për shkelje të ligjeve federale të financimit të fushatës pasi ka marrë kontrollin e fondeve të presidentit aktual Joe Biden, shkruan The Guardian.
Ankesa, e paraqitur nga këshilltari i përgjithshëm i fushatës së Trumpit, David Warrington, argumentoi se ekipi i Bidenit nuk mund ta riemëronte komitetin nga “Bideni për president” në “Harrisi për presidente” pasi presidenti aktual u tërhoq nga gara të dielën dhe 91 milionë dollarët e fushatës t’i kalojnë zëvendëspresidentes – e cila pritet të jetë kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit.
“Ky është pak më shumë se kontribut i tepruar prej 91.5 milionë dollarësh nga një kandidat presidencial te tjetri, domethënë nga fushata e vjetër e Joe Bidenit në fushatën e re të Kamala Harrisit. Kjo përpjekje është tallje me ligjet tona të financimit të fushatës. Kandidatëve federalë u ndalohet të mbajnë kontribute për zgjedhjet në të cilat nuk marrin pjesë”, thuhet ndër të tjera në ankesën me tetë faqe.
Ekipi i Trumpit po përpiqet të ngadalësojë momentin për Harrisin, e cila menjëherë pas tërheqjes së Bidenit u bë kandidatja favorite e demokratëve dhe po prin në sondazhe.
Strategjia e ekipit të Trumpit, sipas ekspertëve, përfshin hapjen e betejave ligjore në përpjekje për të parandaluar që Harrisi të ketë qasje në fondet e Bidenit.
Edhe nëse Komisioni Federal i Zgjedhjeve do të vendoste se transferimi i parave nga Bideni te Harrisi është i paligjshëm, atëherë do të kishte vetëm gjobë ose referim penal në departamentin e drejtësisë të SHBA-së.
Ekipi e Harrisit e konsideroi ankesën si “përpjekje të rreme ligjore”.