Tek iu ka përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para takimit të tij me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, presidenti amerikan Donald Trump, ka thënë se do të arrihet një marrëveshje tregtare.
“Do të ketë marrëveshje tregtare, 100 për qind, por do të jetë marrëveshje e drejtë”, ka deklaruar Trump.
E nga ana tjetër, pyetjeve të gazetarëve iu është përgjigjur edhe kryeministrja italiane, e cila është shprehur e bindur se mund të arrijë marrëveshje me presidentin Trump, raporton BBC.
“Jam e sigurt se mund të arrijmë marrëveshje. Jam këtu për të ndihmuar me këtë”, ka thënë ajo.
Kur u pyet se a do të vazhdojnë tarifat hakmarrëse të Bashkimit Evropian nëse nuk ka pajtim, Meloni ka shprehur optimizëm se do të ketë marrëveshje midis Evropës dhe SHBA-së.
Ajo ka shtuar se qëllimi i vizitës së saj është të punojë në drejtim të kësaj dhe të ftojë presidentin Trump në Itali, ku ajo shpreson të organizojë një takim ndërmjet Trumpit dhe liderëve evropianë.
Meloni është liderja e parë evropiane që viziton Washingtonin pas shpalljes e pezullimit të tarifave prej 20 për qind ndaj importeve evropiane.
Përveç çështjeve tregtare, dyshja pritet të diskutojnë edhe për shumë çështje të tjera.
Për dallim nga liderët e tjerë evropianë, ajo kishte marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Donald Trump të mbajtur në fillim të këtij viti.