Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të martën ka bërë paraqitjen e parë publike që nga tentim atentati i dytë ndaj tij të dielën, ndërsa foli para një turme që brohoriste emrin e tij derisa agjentët e Shërbimit Sekret e rrethuan skenën për ta mbrojtur, raporton agjencia “AP”.
“Ka qenë përvojë shumë e madhe”, ka thënë i nominuari republikan për zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, për mbajtjen e tubimeve para mijëra adhuruesve. Ai foli para përkrahësve në Flint, Michigan.
Trump tha po ashtu se garimi për president është “një punë e rrezikshme” ngjashëm me garat me vetura apo garat me dema.
“Vetëm presidentët e rëndësishëm qëllohen”, tha Trump.
Më herët gjatë të martës, zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, që është kandidate e demokratëve për presidente, foli në mënyrë më të matur që ishte dukshëm në kontrast me paraqitjen e Trumpit para turmës.
Të dy kandidatët i lanë shkurtimisht dallimet mënjanë në një telefonatë që Trump e përshkroi si “shumë të këndshme”, ndonëse turma fishkëlleu kur ai e përmendi emrin e Harrisit. Harris tha më herët të martën se i tha Trumpit se “nuk ka vend për dhunë politike në vendin tonë”.
Të dyja palët po e shtojnë ritmin në fushatën e tyre pa ndonjë ndryshim në kalendar, pavarësisht tentim atentatit të fundit ndaj Trumpit në fushën e tij të golfit në Florida të dielën. Ky rast ripërtëriu akuzat nga republikanët se kritikat e demokratëve kundër Trumpit po i frymëzojnë sulmet e dhunshme. Demokratët e kanë akuzuar Trumpin për të kaluarën e tij të gjatë të retorikës nxitëse dhe po ashtu avokimin e tij për ndjekjen penale dhe burgosjen të armiqve politikë. Por, Harrisi ishte më e kujdesshme pas incidentit të fundit.
Paraqitja e saj para Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve me Ngjyrë ishte një nga intervistat e pakta të gjata që Harris ka bërë që kur u propozua në korrik nga Joe Biden për ta zëvendësuar atë në krye të kandidaturës së demokratëve për zgjedhjet e nëntorit.
Ajo e kritikoi vazhdimisht Trumpin për çështje, duke përfshirë trajtimin e tij të pandemisë COVID-19 dhe kundërshtimin ndaj abortit, por ishte e kujdesshme t’i referohej atij si ish-president dhe në mënyra tjera që shmangnin emërtimin e tij të drejtpërdrejtë.
Trump ritheksoi kërcënimet e tij të së kaluarës kundër punonjësve të zgjedhjeve, donatorëve dhe të tjerëve, ndërsa përpiqet të ngjallë frikë për integritetin e zgjedhjeve të ardhshme.
“Ata të përfshirë në sjellje të paskrupullta do të kërkohen, kapen dhe ndiqen penalisht në nivele, për fat të keq, të papara më parë”, ka shkruar Trump në rrjetin e tij social.
Trump tha se Michigani po fokusohej në industrinë e automobilave. Ai pretendoi se demokratët do të nënvlerësonin prodhimin amerikan të veturave, duke nxitur miratimin e veturave elektrike dhe ka përsëritur ato pretendime të rrejshme se prodhuesit kinezë të veturave po ndërtojnë fabrika të mëdha përtej kufirit në Meksikë për ta vërshuar SHBA-në me vetura.
Trump më vonë gjatë javës do të ketë paraqitje në New York, Washington DC dhe Karolinë të Veriut.
Harris ka ndalesat e veta në Washington, si dhe në Michigan e Wisconsin në ditët në vijim, ku dy kandidatët po përqendrohen në zonën Midwest, ku mendohet se mund të vendoset gara për president.