Botë

Trump do të intervistohet nga FBI-ja në hetimet për atentatin

Donald Trump

Donald Trump

Foto: Associated Press

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është pajtuar të intervistohet nga FBI-ja si pjesë e hetimit për atentatin ndaj tij në Pennsylvania më herët këtë muaj, raporton “BBC”. 

FBI-ja nuk ka dhënë një datë për intervistimin, por ka thënë se “do të jetë një intervistë standarde e një viktime, siç bëjmë për çdo viktimë tjetër të një krimi”. 

“Ne duam ta marrim perspektivën se çfarë pa ai”, ka thënë agjenti i FBI-së, Kevin Rojek. 
Pavarësisht se kanë analizuar një mal me prova, hetuesit ende nuk kanë përcaktuar një motiv për të shpjeguar pse Thomas Matthew Crooks hapi zjarr më 13 korrik.  

Ndërkohë, mesazhet e publikuara së fundmi kanë zbuluar se 20-vjeçari u pa nga një ekip lokal “Swat” rreth 90 minuta para të shtënave – shumë më herët nga se mendohej më parë. 
Mesazhet e siguruara nga “The New York Times” dhe “ABC News” do t’i shtohen listës së dështimeve të sigurisë që i paraprinë atentatit ndaj ish-presidentit. 

Të hënën, FBI-ja tha se hetuesit besojnë se Crooks kreu “planifikim të kujdesshëm” përpara tubimit të 13 korrikut dhe se bëri “përpjekje të rëndësishme” për t’i fshehur aktivitetet e tij.
Planifikimi – që përfshiu blerjen e gjashtë komponentëve për pajisje shpërthyese – u bë në atë mënyrë që do të “rriste dukshëm dyshimet e prindërve të tij”, tha Rojek. 

Shumë hetime janë iniciuar për të zbuluar se çfarë shkoi keq në çështjen e sigurisë më 13 korrik. 
Drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kimberly Cheatle, dha dorëheqje pasi pranoi dështimet. 
Në sulmin mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy tjerë. Ish-presidenti Trump mori lëndim në vesh.