Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka zhvilluar takim urgjent me ministrin e Drejtësisë dhe shefin e shërbimit inteligjent për shkak të informacioneve se po përgatitej një grusht shtet.
Prokuroria kryesore e Ankarasë ka nisur hetimet.
Sipas gazetës turke “Hurriyet”, Erdogani për rrezikun është paralajmëruar nga aleati i tij, kreu i partisë nacionaliste, Devlet Bahçeli.
Bahçeli ka deklaruar se ekziston mundësia e një komploti kundër pushtetit dhe se largimi i vetëm disa policëve nuk mjafton. Duke folur në një mbledhje të partisë, Bahçeli paralajmëroi se përpjekja për grusht shtet e vitit 2016 mund të përsëritet.
Në Turqi ka bërë bujë të madhe largimi i disa policëve të Drejtorisë së Sigurisë së Ankarasë, të akuzuar për lidhje me organizatën kriminale “Ayhan Bora Kaplan”.
“Presidenti Erdogan mbajti takim urgjent me ministrin e Drejtësisë Yilmaz Tunca dhe kreun e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës Ibrahim Kalin në rezidencën presidenciale pas deklaratave të Bahçelit”, shkruan gazeta turke.
Erdogan pritet të flasë për “grusht shtetin” në Parlament gjatë ditës së sotme.
Prokuroria kryesore e Ankarasë ka nisur hetimet për komplot të mundshëm. Hetimi zhvillohet sipas nenit të Kodit Penal që i referohet krijimit të një organizate të paligjshme për kryerjen e veprës penale kundër sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Turqisë.
Autoritetet turke akuzojnë organizatën FETO (organizatë terroriste), e themeluar nga Fethullah Gulen, i cili jeton në SHBA, për përfshirje në tentativën e grusht shtetit në korrik të vitit 2016. Në Turqi, më shumë se 80 mijë njerëz u arrestuan pas përpjekjes për grusht shtet, dhe rreth 150 mijë njerëz u pushuan nga puna ose u pezulluan nga shërbimi që kryenin në administratë publike. Guleni pati hedhur poshtë akuzat.