Të paktën 12 persona janë lënduar, njëri prej tyre në rrezik për jetën, pasi një tren i shpejtë ICE është përplasur me një kamion në Hamburg të martën.
Një zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve ka bërë të ditur se i lënduari rëndë është dërguar në spital për trajtim, raporton gazeta gjermane FAZ.
Sipas autoriteteve, 269 persona në tren kanë shpëtuar pa lëndime. Aktualisht policia po përgatitet për të evakuuar trenin.
Aksidenti ka ndodhur pasditen e së martës në lagjen Rönneburg të Hamburgut.
ICE-ja është përplasur për kamionin në një vendkalim hekurudhor. Sipas gjetjeve fillestare, kamioni po ngarkonte shinat hekurudhore.
Linja hekurudhore midis Hamburgut, Harburgut dhe Maschen në Saksoninë e Ulët është mbyllur.
Megjithatë, ndikimi tek udhëtarët në distanca të gjata është minimal, sipas një zëdhënëse të "Deutsche Bahn".