Botë

Tre punonjës të Kryqit të Kuq vriten nga sulmet ruse në Ukrainë

Foto: Reuters

Tre punonjës të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë vrarë nga sulmet ruse në rajonin e Donetskut, teksa dy të tjerë janë plagosur, kanë njoftuar zyrtarët ukrainas, raportoi të enjten Reuters.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se një tjetër krim lufte rus ka ndodhur sot. 

"Një tjetër krim lufte rus. Sot, okupatori sulmoi automjetet e misionit humanitar të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në rajonin e Donetskut”, ka thënë Zelensky në platformën “X”.

Guvernatori rajonal Vadym Filashkin ka thënë se fshati Viroliubivka është goditur nga granatimet, teksa ka raportuar edhe viktima.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka thënë në “Telegram” se punonjësit e Kryqit të Kuq ishin duke dërguar karburantë për banorët për ngrohje para dimrit. Ata ishin duke i shkarkuar ndihmat në kohën kur ka ndodhur sulmi. 

Rajoni i Donetskut, të cilin trupat ruse e kanë pushtuar pjesërisht, është rregullisht nën granatimet dhe sulmet ajrore ruse.