Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e 20-të. Qindra civilë janë vrarë e plagosur deri tani, si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të forcave ruse. Palët ukrainase ruse, deri më tani kanë zhvilluar disa runde bisedimesh, por pa ndonjë rezultat konkret
23:43 - Blinken: Do të ketë Ukrainë të pavarur shumë më gjatë se një Vladimir Putin
Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka thënë se Ukraina e pavarur do të jetë për shumë më gjatë se sa Vladimir Putini.
“Së pari, do të ketë Ukrainë, një Ukrainë të pavarur shumë më gjatë se që do të jetë një Vladimir Putin. Në njërën apo tjetrën anë, Ukraina do të jetë dhe në një kohë Putini s’do të jetë”, ka thënë Blinkeni për CNN.
Sipas tij, SHBA-ja po përpiqet aktualisht të ndalë numrin e vdekjeve dhe shkatërrimeve.
22:38 - 10% e grurit në botë vjen nga Ukraina
Derisa bota shikon çmimet e naftës dhe të gazit teksa rriten, tronditja tjetër mund të godasë tryezën e bukës.
Së bashku, Rusia dhe Ukraina janë përgjegjëse për më shumë se një të katërtën e eksporteve globale të grurit dhe për rreth 80 për qind të furnizimit botëror të vajit të lulediellit.
Rusia bashkë me aleatin e saj, Bjellorusinë, është gjithashtu një burim i madh plehrash, duke zënë rreth 15 për qind globalisht.
Lufta në Ukrainë pritet të ketë një ndikim të madh në prodhimin dhe eksportet e saj bujqësore, duke vënë edhe më shumë presion mbi një sistem tashmë në krizë, raporton The Guardian.
22:07 - Tre kryeministrat evropianë takohen me Zelenskyn në Kiev
Kryeministri i Çekisë, Polonisë dhe Sllovenisë kanë nisur takimin me presidentin e Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, në Kiev.
21:16 - Bisedimet Ukrainë-Rusi vazhdojnë nesër
Këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhailo Podolyak, ka thënë se negociatat me zyrtarët rusë “do të vazhdojnë nesër”.
Ai shtoi se “qartazi ka hapësirë për kompromis”.
"Ne do të vazhdojmë nesër. Një proces negociatash shumë i vështirë. Ka kontradikta thelbësore. Por sigurisht që ka vend për kompromis. Gjatë pauzës, puna në nëngrupe do të vazhdojë".
20:13 - SHBA-ja do ta ndihmojë me 13.6 miliardë dollarë Ukrainën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka njoftuar se ka nënshkruar financimin historik prej 13.6 miliardë dollarësh për Ukrainën.
19:23 - Sanksionet e Rusisë ndaj liderëve amerikanë janë më shumë simbolike sesa pasoja
19:13 - Shtëpia e Bardhë nuk tregon nëse Bideni do të takohet me Zelenskyn javën e ardhshme
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, nuk ka pranuar të tregojë nëse presidenti amerikan, Joe Biden, do të udhëtojë në Poloni, siç është raportuar nga disa media, kur ai të vizitojë Evropën për samitin e NATO-s më 24 mars.
Ajo madje nuk ka treguar nëse Bideni do të takohet me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se janë duke punuar në lidhje me këtë udhëtim, por nuk ka shumë detaje deri në këtë moment.
19:12 - Shtatë trupa gjenden nën rrënojat e shkollës që u godit nga raketa ruse
Shtatë trupa janë gjetur në rrënojat e një shkollë në Ukrainë pasi u godit nga raketa ruse, ka thënë shërbimi i emergjencave ukrainase.
Tre persona janë nxjerrë nga rrënojat e shkollës në Kykolayiv, pasi u godit të dielën.
Ka përfunduar puna e kërkimit aty tani, raporton skynews.
19:06 - Rusia tërhiqet nga Këshilli i Evropës
Rusia është tërhequr nga Këshilli i Evropës, mbikëqyrës i të drejtave të njeriut me bazë në Strasburg, Francë, që nga 15 marsi, ka thënë Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë të martën.
17:30 - Rusia ia ndalon hyrjen edhe kryeministrit kanadez
Rusia ka ndaluar hyrjen në vend të kryeministrit kanadez Justin Trudeau, ministres së Jashtme kanadeze, Melanie Joly, dhe ministres kanadeze të Mbrojtjes, Anita Anand, ka njoftuar Ministria e Jashtme ruse.
Rusia më parë ia ndaloi hyrjen edhe presidentit të SHBA-së, Joe Biden e zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë.
17:28 - Stafi i spitalit dhe pacientët janë marrë peng në Mariupol
Nënkryetari i Mariupolit, Sergei Orlov, ka konfirmuar lajmet se trupat ruse kanë rrëmbyer stafin dhe pacientët e spitalit atje si peng.
“Kemi marrë informacione se ushtria ruse ka marrë kontrollin e spitalin tonë më të madh... dhe po i shfrytëzojnë pacientët dhe mjekët si pengje”, ka thënë ai.
“Konfirmojmë këtë informacion dhe guvernatori i rajonit të Donetskut ka konfirmua po ashtu këtë. Kemi marrë informacionin se janë 400 persona aty”.
17:08 - Bidenit i ndalohet hyrja në Rusi
Rusia vendosi sanksione ndaj presidentit amerikan Joe Biden dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se atyre u është ndaluar hyrja në vend në përgjigje të sanksioneve të SHBA.
Masa "është pasojë e politikës jashtëzakonisht rusofobike të ndjekur nga administrata aktuale e SHBA", thuhet në një deklaratë.
Në njoftimin e fundit për sanksionet, SHBA-ja ka vënë në shënjestër katër persona dhe një entitet. Ata akuzohen se kanë ndihmuar në fshehjen e ngjarjeve rreth vdekjes së sinjalizuesit Sergei Magnitsky, ose për lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut kundër avokatit të të drejtave të njeriut Oyub Titiev.
Thesari i SHBA-së tha gjithashtu se po shtonte sanksionet e saj kundër presidentit të Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko dhe se kishte në shënjestër gruan e tij.
16:19 - NATO: Rusia mund të planifikojë operacion kimik me 'flamur të rremë'
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se Rusia "po bën pretendime absurde për laboratorët biologjikë dhe armët kimike" në Ukrainë.
16:03 - Rusia i vendos sanksione Bidenit
Rusia ka vendosur sanksione ndaj presidentit amerikan, Joe Biden, tha ministria e saj e Jashtme.
Sanksionet zbatohen gjithashtu për Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, dhe shefin e CIA-s, William Burns, raporton BBC.
Të tjerë do të preken gjithashtu, thotë ministria.
14:37 - Ukraina e Rusia vazhdojnë bisedimet
Negociatorët e Ukrainës dhe Rusisë janë ulur sërish për bisedime, ka bërë të ditur një zëdhënës ukrainas.
Ukraina po shpreson të arrijë një marrëveshje për armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse nga territori i saj, derisa Rusia deri më tani është pajtuar vetëm për korridore humanitare, për evakuimin e civilëve.
Ndërkohë, një zyrtar amerikan ka thënë se ende nuk ka të dhëna se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka vullnet për qetësim të situatës.
13:19 - Konflikti po afrohet gjithnjë e më afër Kievit
Për të dytën ditë me radhë, kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, është zgjuar nga bombardimet e ndërtesave. Po duket sikur një gjendje e tillë po bëhet normaliteti i ri, raporton BBC. Kjo është shenjë e qartë se konflikti po afrohet gjithnjë e më shumë afër kryeqytetit. Lajmin e plotë lexoje KËTU
12:54 - Shkon në katër numri i të vdekurve nga sulmi me raketa në Kiev
Ka arritur në katër numri i të vdekurve nga sulmet ajrore mbi ndërtesat e banimit në Kiev, në orët e para të së martës.
Disa prej tyre raketave ruse goditën zonat e banuara në lagjet Svyatoshynskyi dhe Podilskyi, duke i vënë flakën një ndërtese 15-katëshe dhe stacionit të metrosë Lukyanivska.
Kryebashkiaku i Kievit ka shpallur ndërkohë një shtetrrethim 35-orësh për shkak të sulmeve në kryeqytet.
12:08 - Së paku 19 të vrarë në një sulm raketor në Rivne
Një sulm ndaj një kulle të televizionit në qytetin e Rivnes në Ukrainë të hënën, ka vrarë së paku 19 persona dhe ka lënduar nëntë të tjerë, ka thënë kryetari i këtij regjioni, Vitalii Koval.
“Ekipi i shpëtimit është ende në kërkim dhe ne kemi 19 të vdekur dhe nëntë të lënduar. Ne po vazhdojmë t’i pastrojmë rrënojat. Ky nuk është numri përfundimtar, neve na duhen edhe disa orë tjera për të pastruar gjithë zonën”, ka thënë ai.
Kulla është goditur të hënën, dhe pavarësisht goditjes, Koval ka thënë se radio dhe televizioni kanë filluar transmetimin sot.
11:33 - Rreth 3 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur nga shtëpitë
Gjithsej 2,95 milionë ukrainas i kanë lënë shtëpitë e tyre, derisa 1,8 milionë prej tyre kanë hyrë vetëm në Poloni, ka bërë të ditur Agjencia e OKB-së për refugjatët.
11:24 - Aeroporti Dnipro në Ukrainë goditet nga dy raketa ruse
Dy raketa ruse goditën aeroportin Dnipro në lindje të Ukrainës gjatë natës, duke nxjerrë jashtë përdorimit pistën dhe duke dëmtuar ndërtesën e terminalit, sipas Valentyn Reznichenko, kreu i administratës rajonale të Dnipropetrovsk.
“Shkatërrimi është në një shkallë të gjerë dhe do të duhet shumë kohë për t'u rindërtuar”, thuhet në deklaratën në faqen e Reznichenko në Facebook.
Deklarata nuk përmendi viktima.
11:14 - Rreth 350 mijë njerëz janë të ngujuar në Mariupol
Rreth 350,000 banorë janë ende të ngujuar në Mariupol, qytet ky në juglindje të Ukrainas, i cili është rrethuar nga forcat ruse, që nga 1 marsi.
Petro Andriushchenko, këshilltar i kryebashkiaut të Mariupolit, ka thënë se qyteti ka rreth 540,000 banorë, ndërkohë që 150,000 prej tyre janë evakuuar në tri ditët e para të rrethimit, atëherë kur kishte më shumë siguri.
Disa përpjekje për të siguaur korridore për evakuimin e civilëve nga Mariupoli kanë dështuar në ditët e kaluara.
“Shumica e njerëzve po qëndrojnë në bodrume dhe strehimore në kushte çnjerëzore. Pa ushqim, pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje", ka thënë Andriushchenko, duke shtuar se njerëzit po shkrinin borën dhe po çmontonin sistemin e ngrohjes për të marrë ujë për të pirë.
Duke folur për viktimat civile, Andriushchenko ka thënë se numrat e marrë nga policia dhe të përpiluara nga institucionet mjekësore ishin të pasakta. Ai tha se, që nga e diela, 1,800 njerëz u konfirmuan se ishin vrarë.
Ndërkohë, Oleksiy Arestovych, një këshilltar në zyrën e Presidentit Volodymyr Zelensky, ka thënë se bombardimet ruse të Mariupolit kanë shkaktuar më shumë se 2,500 vdekje.

10:56 - Kievi shpall orë policore
Një shtetrrethim do të vendoset nga kjo mbrëmje deri të enjten në mëngjes, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.
Qyteti ka parë bombardime në rajonet e tij të afërta gjatë orëve të para të së martës, derisa dy persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmeve me raketa mbi dy ndërtesa banimi.
“Është e ndaluar të lëvizësh nëpër qytet pa leje të posaçme, përveçse të shkosh në strehimoret e bombave”, ka thënë Klitschko.
"Kryeqyteti është zemra e Ukrainës dhe do të mbrohet. Kievi, i cili aktualisht është simboli dhe baza e funksionimit përpara të lirisë dhe sigurisë së Evropës, nuk do të jepet nga ne”, ka shtuar Klitschko.
10:03- Ukraina thotë se 13.500 ushtarë rusë janë vrarë deri tash
Forcat e armatosura ukrainase kanë deklaruar se 13.500 ushtarë rus janë vrarë që prej fillimit të konfliktit.
Kjo shifër është shumë më e madhe se ajo që është konfirmuar nga Moska e cila ka thënë se deri tash janë vrarë 500 persona.
Ndërkohë, Ukraina thotë se ka rrëzuar katër helikopterë rusë, një avion dhe një avion luftarak në 24 orët e fundit.
Në total, ajo pretendon se ka shkatërruar 95 helikopterë rusë dhe 81 avionë.
Ukraina shton se Rusia “nuk pati sukses të rëndësishëm në të gjitha fushat e përparimit” të hënën.
“Përpjekjet kryesore vazhdojnë të përqendrohen në ruajtjen e kufijve të pushtuar”, thanë forcat e armatosura të Ukrainës. “Armiku vazhdon të lëshojë sulme me raketa dhe bomba në infrastrukturën kritike”.
9:37 - BE-ja do të vendosë paketën e katërt të sanksioneve kundër Rusisë
08:45 - Dy të vdekur nga bombardimi i një ndërtese në Kiev
Dy persona janë vrarë në një sulm ajror që goditi një ndërtesë banimi në Kiev, sipas shërbimit të emergjencës shtetërore të Ukrainës.
Ndërkohë, 35 persona të tjerë u shpëtuan.
Administrata shtetërore e qytetit të Kievit ka përpiluar një listë të ndërtesave në kryeqytetin ukrainas që janë dëmtuar nga bombardimet gjatë natës:
Dy ndërtesa banimi me nëntë dhe 16 kate në rrethin Sviatoshynskyi
Një ndërtesë banimi 10-katëshe në rrethin Podilskyi
Një shtëpi në sektorin privat të rrethit Darnytskyi
Pjesë e stacionit të metrosë Lukyanivska. Ndërkaq, linja e metrosë është ende në punë.

08:33 - Zelensky u kërkon trupave ruse të dorëzohen
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje trupave ruse që të dorëzohen.
Në një video-adresim mëngjesin e së martës, Zelensky, u ka thënë atyre se nëse dorëzohen, do të trajtohen me dinjitet.
“Në emër të popullit ukrainas, ne ju japim një shans për të jetuar. Nëse u dorëzoheni forcave tona, ne do t'ju trajtojmë ashtu siç duhen trajtuar njerëzit: me dinjitet”, ka thënë Zelensky.
Ndërkohë një këshilltar i presidentit ukrainas tha se pret që lufta të përfundonte më së largu në fillim të majit, pasi sipas tij, Rusisë do t’i mbarojnë resurset.
"Mendoj se më së largu deri në fillim të majit do të kemi një marrëveshje", tha të hënën mbrëma Oleksiy Arestovich, këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky.
Sipas tij, priten dy rezultate në muajt në vijim.
"Ose do të arrihet një marrëveshje paqeje shumë shpejt, brenda një ose dy javësh, me tërheqjen e trupave, ose do të përpiqen të sjellin disa, të themi, sirianë për raundin e dytë. Kur t'i bluajmë edhe ata, mund të arrihet një marrëveshje nga mesi ose fundi i prillit”, tha ai.
Pentagoni ka pohuar më parë se rusët po përpiqen të rekrutojnë sirianë për të luftuar në Ukrainë – edhe pse kjo nuk është konfirmuar.
Arestovich nuk është i përfshirë personalisht në negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë.
08:28 - Shkon në 19 numri i të vdekurve nga sulmi në kullën televizive në Ukrainë
Ka shkuar në 19 numri i të vdekurve si pasojë e sulmit të djeshëm në një kullë televizive, në rajonin verior Rivne të Ukrainës.
Guvernatori Vitaliy Koval ka bërë të ditur të hënën, se të paktën nëntë persona kishin vdekur në sulm, por se kishte ende njerëz nën rrënoja.
Një raketë ka goditur një kullë televizive në jug të Ukrainës duke lënë fillimisht nëntë persona të vdekur dhe nëntë tjerë të plagosur, kanë thënë mediat lokale.

08:10 - Ukraina planifikon të hapë sot nëntë korridore humanitare
Gjatë ditës së martë, do të bëhen më shumë përpjekje për të evakuuar civilët nga qytetet e bombarduara, ka thënë zëvendëskryeministri i Ukrainës.
Ukraina po synon të hapë nëntë korridore humanitare, megjithëse përpjekjet e mëparshme për të evakuuar njerëzit kanë qenë shpeshherë në shënjestër të forcave ruse.

07:50 - Rikthehet furnizimi me energji elektrike në Chernobyl
U rikthye furnizimi me energji elektrike në termocentralin e Çernobilit
Centralit bërthamor të Chernobylit i është rinovuar furnizimi me energji elektrike, sipas Ukraine 24.
07:42 - 150 ushtarë rusë u vranë në përpjekje për të marrë nën kontroll Mariupolin
07:36 - Stacioni i metrosë së Kievit është dëmtuar nga një shpërthim
Rrjeti i metrosë së Kievit ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter se një nga shpërthimet mëngjesin e së martës dëmtoi fasadën e stacionit Lukyanivska dhe zyrat.
Lukyanivska është mjaft afër qendrës së Kievit.
Stacioni është mbyllur për shkak të dëmtimit.
Увага!
— Kyiv Metro (@kyivmetroalerts) March 15, 2022
Вибуховою хвилею пошкоджено фасад будівлі станції "Лукянівська", та службові приміщення.
Під час руху поїзди не зупинятимуться на станції. pic.twitter.com/BIrSQvII0c
07:24 - Shpërthime në Kiev, plagoset një person
Dy shpërthime të mëdha janë dëgjuar në orët e hershme të së martës, në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Kanali lokal Ukrainë 24 ka raportuar se shpërthime janë dëgjuar në periferinë perëndimore të qytetit, saktësisht në lagjen Borshchagovka të Kievit.
Sipas një raporti të kanalit, raketat u lëshuan nga pala bjelloruse.
Sirenat e sulmit ajror janë ndezur në Kiev, si dhe Odesa në jug, Uman në qendër dhe rajoni Khmelnytsky në perëndim.