Botë

Trafikimi i ukrainasve në Evropë

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka bërë të ditur se më shumë se 2.5 milionë njerëz, duke përfshirë më shumë se një milion fëmijë, kanë ikur tashmë nga Ukraina e shkatërruar nga lufta, në atë që është kthyer në një krizë të pashembullt humanitare në Evropë dhe në eksodin e saj më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore

(AP) - Një burrë është arrestuar në Poloni nën dyshimin se ka përdhunuar një refugjate 19-vjeçare, të cilën e joshi me oferta për strehim pasi ajo iku nga lufta në Ukrainë. Një tjetër është arrestuar për shkak se i premtoi 16-vjeçares punë dhe një dhomë për të jetuar. Policia polake ka intervenuar menjëherë.

Një rast tjetër brenda një kampi refugjatësh në kufirin Medyka të Polonisë ngriti dyshime kur një burrë u ofronte ndihmë vetëm grave dhe fëmijëve. Kur u mor në pyetje nga policia, ai ndryshoi historinë e tij.

Teksa miliona gra dhe fëmijë po ikin përtej kufijve të Ukrainës shkaku i agresionit rus, shqetësimet po rriten se si të mbrohen refugjatët më të cenueshëm nga trafikantët e qenieve njerëzore. Refugjatët mund të jenë viktima të formave të tjera të shfrytëzimit.

“Natyrisht që të gjithë refugjatët janë gra dhe fëmijë”, ka thënë Joung-ah Ghedini-Williams, shefe e UNHCR-së për komunikimet globale, e cili ka vizituar kufijtë në Rumani, Poloni dhe Moldavi.

“Duhet të shqetësoheni për çdo rrezik të mundshëm për trafikimin – por edhe shfrytëzimin dhe abuzimin seksual. Këto janë llojet e situatave nga të cilat njerëzit si trafikantët dëshirojnë të përfitojnë”, ka thënë ajo.

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka bërë të ditur se më shumë se 2.5 milionë njerëz, duke përfshirë më shumë se një milion fëmijë, kanë ikur tashmë nga Ukraina e shkatërruar nga lufta në atë që është kthyer në një krizë të paprecedentë humanitare në Evropë dhe eksodin e saj më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në vendet e Evropës, duke përfshirë vendet kufitare të Rumanisë, Polonisë, Hungarisë, Moldavisë dhe Sllovakisë, qytetarë privatë dhe vullnetarë kanë ofruar ndihmë për ata, jeta e të cilëve është shkatërruar nga lufta. Nga strehimi falas, te transporti falas, te mundësitë për punë dhe forma të tjera ndihme - ndihma nuk është larg. Por larg nuk janë as rreziqet.

Policia në Wrocław të Polonisë ka deklaruar të enjten se ka arrestuar një të dyshuar 49-vjeçar me akuza për përdhunim, pasi dyshohet se sulmoi një refugjate ukrainase 19-vjeçare, që e joshi me oferta ndihme përmes internetit. I dyshuari mund të përballet me 12 vjet burg për “krimin brutal”, kanë thënë autoritetet.

“Ai u takua me vajzën duke i ofruar ndihmën e tij nëpërmjet një portali interneti”, tha policia në një deklaratë. “Ajo u arratis nga Ukraina e shkatërruar nga lufta, nuk fliste polonisht. Ajo i besoi një burri që i premtoi se do ta ndihmonte dhe ta strehonte. Fatkeqësisht, e gjithë kjo doli të ishte manipulim mashtrues.”

Policia në Berlin paralajmëroi gratë dhe fëmijët në një postim në mediat sociale në gjuhën ukrainase dhe ruse kundër pranimit të ofertave të qëndrimit gjatë natës dhe u kërkoi atyre të raportojnë çdo gjë të dyshimtë.

Tamara Barnett, drejtoreshë e operacioneve në Fondacionin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore, organizatë bamirëse me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila u ngrit nga Grupi Parlamentar i Gjithë Partisë për Trafikimin e Njerëzve, ka thënë se një zhvendosje kaq e shpejtë dhe masive e njerëzve mund të jetë “recetë për katastrofë”.

“Kur papritmas ke një grup të madh njerëzish vërtet të cenueshëm që kanë nevojë për para dhe ndihmë menjëherë”, ka thënë ajo, “është një lloj terreni për situata shfrytëzuese dhe shfrytëzim seksual. Kur i pashë të gjithë këta vullnetarë që ofronin shtëpitë e tyre...kjo më ndezi një shqetësim në kokën time”.

Portali i të dhënave të migracionit vëren se krizat humanitare, si ato të lidhura me konfliktet, “mund të përkeqësojnë tendencat para-ekzistuese të trafikimit dhe të krijojnë prirje të reja” dhe se trafikantët mund të lulëzojnë nga “paaftësia e familjeve dhe komuniteteve për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tyre”.

Zyrtarët e sigurisë në Rumani dhe Poloni kanë thënë për Associated Press se oficerët e inteligjencës në rroba civile ishin në vëzhgim për elemente kriminale. Në qytetin kufitar rumun të Siret, autoritetet kanë thënë se burrat që ofrojnë udhëtime falas për gratë janë larguar.

Trafikimi i qenieve njerëzore është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe mund të përfshijë një gamë të gjerë rolesh shfrytëzuese. Nga shfrytëzimi seksual – siç është prostitucioni – te puna e detyruar, nga skllavëria shtëpiake te heqja e organeve dhe kriminaliteti i detyruar, shpesh shkaktohet nga trafikantët përmes detyrimit dhe abuzimit me pushtetin.

Një raport i vitit 2020 për trafikimin e qenieve njerëzore nga Komisioni Evropian, dega ekzekutive e BE-së, vlerëson se fitimi vjetor global nga krimi është 29.4 miliardë euro (32 miliardë dollarë).

Në këtë raport thuhet se shfrytëzimi seksual është forma më e zakonshme e trafikimit të qenieve njerëzore në bllokun 27-vendesh dhe se gati tre të katërtat e të gjitha viktimave janë femra, me pothuajse çdo të katërtën viktimë një fëmijë.