Botë

Thirrje për dorëheqje pas gabimit të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë

Shtepia e Bardhe

Foto: Associated Press

Pas gabimit të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, janë shtuar thirrjet që ata që janë përfshirë në shkelje të japin dorëheqjen.

Një person i afërt me Shtëpinë e Bardhë i ka thënë “Politico” se  “të gjithë në Shtëpinë e Bardhë mund të bien dakord se Mike Waltz është një idiot i ndyrë”.

Ken Martin, kryetar i Komitetit Kombëtar Demokratik, i ka bërë thirrje Pete Hegseth të japë dorëheqjen ose të shkarkohet nga posti i tij si Sekretar i Mrojtjes.

“Pete Hegseth ishte i papërshtatshëm për të udhëhequr Departamentin e Mbrojtjes edhe para se të rrezikonte sigurinë tonë kombëtare përmes trajtimit të tij të ngathët të informacionit të ndjeshëm ushtarak. Ashtu si shefi i tij Donald Trump, Hegseth, dhe të gjithë të tjerët të përfshirë, paraqitën një shfaqje mahnitëse të pakujdesisë dhe mospërfilljes për sigurinë tonë kombëtare”, ka thënë Martin.

Sipas tij, Hegseth duhet të japë dorëheqjen dhe nëse nuk jep dorëheqjen, ai duhet të shkarkohet. 

“Është kristal e qartë se burrat dhe gratë tona me uniformë meritojnë më mirë, dhe se siguria jonë kombëtare nuk mund të lihet në duart e paafta dhe të pakualifikuara të Hegseth-it”, ka shtuar ai.

Megjithatë, kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka shprehur një qëndrim më të butë. 

“Mendoj se do të ishte një gabim i tmerrshëm që të kishte pasoja negative për cilindo nga njerëzit që ishin të përfshirë në atë thirrje”, ka thënë Johnson.

"Ata po përpiqeshin të bënin një punë të mirë, misioni u krye me saktësi”, ka shtuar ai. 

LEXO EDHE:
 

Çka është “Signal”, aplikacioni ku diskutohen çështje sekrete amerikane?

1 j. më parë / 25 mar 2025 15:27
Signal

Photo: Associated Press

Rrëfimi i kryeredaktorit të “Atlantic” se ishte shtuar në një bisedë në “Signal” të grupit të zyrtarëve të sigurisë kombëtare të SHBA-së që koordinojnë planet për sulmet ajrore, ka ngritur pikëpyetje rreth asaj se si supozohet të trajtohen informacionet shumë të ndjeshme.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz ka thënë se po shqyrton se si numri i një gazetari është shtuar në zinxhirin e pjesëmarrësve në bisedën shumë sekrete, ku është diskutuar për sulmet ajrore ndaj grupit Houthi të Jemenit, raporton AP.

“Signal” është një aplikacion që mund të përdoret për mesazhe direkte dhe biseda në grup, si dhe për thirrje telefonike dhe video.

Ai përdor kriptim nga skaji në skaj për shërbimet e tij të mesazheve dhe thirrjeve që parandalon çdo palë të tretë të shikojë përmbajtjen e bisedave ose të dëgjojë thirrjet.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë për NBC News se qëndron me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, i cili dyshohet se ka shtuar gazetarin Jeffrey Goldberg në bisedën e grupit “Signal”.

"Michael Waltz ka marrë një mësim dhe ai është një njeri i mirë”, ka thënë Trump. 

Presidenti e ka quajtur një "gabim" shtimin e Goldbergut duke thënë se një punonjës i Waltz është fajtor.

“Prania e Goldbergut në bisedë nuk kishte fare ndikim në operacion”, është shprehur Trump.

Ndërkohë, disa prej zyrtarëve të lartë të sigurisë amerikane pritet të dëshmojnë të martën para Komitetit të Inteligjencës të Senatit.

Komiteti pritet të dëgjojë dëshmitë e të paktën dy anëtarëve të administratës së Trumpit të përfshirë në grupin ku ishte zhvilluar biseda e cila ka rrjedhur në media.

Mike Waltz dhe Pete Hegseth/Foto: AP