Një sulm izraelit në një qendër mjekësore të lidhur me një grup mysliman libanez sunit në jug të Libanit, ka lënë të vdekur shtatë persona të mërkurën. Kjo ka nxitur një sulm me raketë nga Libani, që vrau një person në veri të Izraelit, kanë thënë autoritetet, raporton agjencia “AP”.
Sulmi në fshatin Hebbariye ka ardhur një ditë pas sulmeve ajrore dhe raketore mes ushtrisë së Izraelit dhe grupit Hezbollah të Libanit përgjatë kufirit mes këtyre dy vendeve, duke rritur shqetësimet për përshkallëzim të situatës në kufi, e cila edhe ashtu ka qenë e tensionuar në pesë muajt e konfliktit Izrael-Hamas.
Sulmi ajror ka goditur një zyrë të Korpusit Islamik të Emergjencave dhe Ndihmës, sipas autoriteteve libaneze. Ky sulm ka qenë një nga sulmet më vdekjeprurëse që nga fillimi i dhunës në kufirin Liban - Izrael.
Shoqata e mjekëve të ndihmës së parë ka zbuluar emrat e shtatë vullnetarëve që u vranë në sulm. Shoqata e ka quajtur sulmin "shkelje flagrante e punës humanitare".
Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur një ndërtesë ushtarake në Hebbariye dhe ka vrarë një anëtar të grupit libanez sunit, al-Jamaa al-Islamiya, dhe disa militantë të tjerë. Sipas ushtrisë, grupi al-Islamiya ishte i përfshirë në sulme kundër Izraelit.
Disa orë më vonë, Hezbollahu ka thënë se iu kundërpërgjigj sulmit ajror duke lëshuar dhjetëra raketa në qytetin verior të Izraelit, Kiryat Shmona dhe në një bazë ushtarake izraelite atje. Sipas shërbimeve të shpëtimit në Izrael, është vrarë një burrë 25-vjeçar në Kiryat Shmona, dhe një tjetër është plagosur. Ushtria izraelite ka thënë se Libani ka hedhur 30 raketa në veri të Izraelit.