Botë

Tetë të vdekur e 21 të zhdukur nga reshjet e mëdha në Brazil

Përmbytjet në Brazil

Përmbytjet në Brazil

Foto: Associated Press

Tetë persona kanë vdekur dhe 21 të tjerë janë zhdukur si pasojë e reshjeve të mëdha këtë javë në shtetin jugor të Brazilit, Rio Grande do Sul, ka bërë të ditur të mërkurën Shërbimi i Mbrojtjes Civile.

Autoritetet kanë raportuar për mbi 1,400 persona të zhvendosur pas stuhive që çuan në rritjen e nivelit të lumenjve dhe përmbytjeve në pjesë të ndryshme të shtetit, duke prekur 104 bashki, raporton Reuters.

Në një raport mbi kushtet hidrologjike të martën, Qeveria e shtetit parashikoi një rrezik përmbytjeje "praktikisht në të gjithë shtetin duke pasur parasysh vazhdimin e reshjeve të mëdha" në ditët në vijim. 

Përmbytjet parashihen të jenë të rënda në pellgjet e shumë lumenjve, me mundësinë e lëvizjeve masive të tokës në rajonet me shpate të pjerrëta. 

Guvernatori i shtetit, Eduardo Leite shprehu ngushëllimet për vdekjet e shkaktuara nga stuhitë në platformën e mediave sociale X të mërkurën, duke shtuar se qeveria po punon për të gjetur të zhdukurit dhe për të garantuar sigurinë në zonat në rrezik.