Botë

Tetë të arrestuar në Gjermani mbi dyshimet për komplot për krijimin e një regjimi nazist

gjermani

Policia në Gjermani ka arrestuar tetë pjesëtarë të dyshuar të një celule terroriste të së djathtës ekstreme që dyshohen se po komplotonin marrjen me forcë të rajoneve lindore për të krijuar një regjim të frymëzuar nga nazistët e që do të kryente “spastrim etnik”, kanë thënë prokurorët.

Mes goditjes ndaj militantëve neo-nazistë, shtetasit gjermanë që e quanin veten separatistët saksonë u arrestuan të martën në një bastisje para agimit në 20 lokacione në lindje të Gjermanisë dhe qytetin kufitar polak të Zgorzelecit. Shtatë të tjerë janë po ashtu të dyshuar.

Lokacione në Austri gjithashtu u kontrolluan, përfshirë në Vjenë, edhe pse nuk kishte lidhje direkte me ndonjë prej të dyshuarve. 

Zyra e Prokurorit ka thënë se separatistët, 15 ose 20 persona, kanë qenë aktivë që nga nëntori 2020, me një ideologji “të karakterizuar nga racizmi, antisemitizmi dhe idetë pjesërisht apokaliptike”, raportoi Guardian. 

Grupi, shumica të rinj e disa madje adoleshentë, dyshohet se refuzon rendin liberal demokratik të 
Gjermanisë pasi beson se është afër kolapsit. 

“Grupi ka synim të marrë kontrollin e disa zonave me dhunë për të krijuar struktura qeveritare dhe shoqërore të frymëzuara nga nacional-socializmi”, ka thënë zyra. 

“Nëse është e nevojshme, grupet e padëshiruara të njerëzve supozohen të hiqen nga zona përmes spastrimit etnik”, shtoi më tej. 

Më shumë se 450 policë dhe forca speciale u morën me hetimin dhe bastisjet.