Botë

Teoritë konspirative, arma kineze ndaj Perëndimit për virusin e vaksinat

Një zëdhënës i Qeverisë i ka dhënë hov teorisë së paqëndrueshme se koronavirusi mund të jetë shfaqur nga një laborator ushtarak amerikan, duke gjeneruar besim të madh në Kinë. Teksa Partia qeverisëse Komuniste ballafaqohet me pyetje përherë më të shpeshta rreth vaksinave kineze dhe me kritika të reja lidhur me përgjigjen e hershme ndaj COVID-19, vendi po kundërpërgjigjet me anë të trimërimit të teorive të konspiracionit për të cilat disa ekspertë pretendojnë se mund të shkaktojnë dëme

Mediat shtetërore kineze kanë ngritur shqetësime lidhur me vaksinën e “Pfizerit” kundër COVID-19, përkundër testimeve rigoroze që kanë konfirmuar efikasitetin e saj.

Një zëdhënës i Qeverisë i ka dhënë hov teorisë së paqëndrueshme se koronavirusi mund të jetë shfaqur nga një laborator ushtarak amerikan, duke gjeneruar besim të madh në Kinë.

Teksa Partia qeverisëse Komuniste ballafaqohet me pyetje përherë më të shpeshta rreth vaksinave kineze dhe me kritika të reja lidhur me përgjigjen e hershme ndaj COVID-19, vendi po kundërpërgjigjet me anë të trimërimit të teorive të konspiracionit për të cilat disa ekspertët pretendojnë se mund të shkaktojnë dëme.

Shmangia e fajësisë

Mediat dhe zyrtarët shtetërorë janë duke mbjellë dyshime rreth vaksinave perëndimore, si dhe origjinës së koronavirusit në një përpjekje evidente për t’iu shmangur sulmeve.

Të dy çështjet janë vënë në epiqendër të vëmendjes, shkaku i shpërndarjes së vaksinave kudo në botë dhe mbërritjes së mëparshme të një ekipi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Wuhan të Kinës, për ta hetuar origjinën e virusit.

Disa prej këtyre teorive të konspiracionit gjejnë mbështetje të madhe mes audiencave në vend. Hashtagu në mediat sociale “Ft. Detricku i Amerikës”, i nisur nga Lidhja Rinore Komuniste, është shpërndarë së paku 1.4 miliardë herë javën e shkuar, pasi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze ka kërkuar nisjen e hetimeve të OBSH-së në laboratorin e armëve biologjike në Maryland të SHBA-së.

“Synimi i tij është që ta devijojë fajësinë nga keqmenaxhmi i Qeverisë kineze në ditët e hershme të pandemisë nëpërmjet konspiracionit për SHBA-në”, ka thënë Fang Shimin, një gazetar tani me seli në SHBA, i njohur për ekspozimin e diplomave të rreme dhe mashtrimeve të tjera në botën e shkencës në Kinë. “Taktika është goxha e suksesshme, për shkak të ndjenjës së gjithmbarshme antiamerikane në Kinë”.

Yuang Zeng, një eksperte e mediave kineze në Universitetin e Leedsit në Britaninë e Madhe, ka thënë se rrëfimet e Qeverisë janë shpërndarë kaq gjerësisht sa që edhe miqtë e saj kinezë me arsimim të lartë kanë nisur që ta pyesin nëse mund të kishte diçka të vërtetë në gjithë këtë muhabet.

Ndezja e dyshimeve dhe përhapja e teorive të konspiracionit mund t’u kontribuojnë rreziqeve për shëndetin publik, teksa qeveritë botërore janë duke u përpjekur që t’i eliminojnë shqetësimet lidhur me vaksinat, ka thënë ajo, duke shtuar: “Kjo gjë është super, super e rrezikshme”.

“Shpëtimi i fytyrës”

Image

Në volejin e fundit, mediat kineze kanë bërë thirrje për hetimin e vdekjes së 23 të moshuarve në Norvegji, pas injektimit të dozës së parë të vaksinës së “Pfizerit” kundër koronavirusit. Një moderator i CGTV-së, një stacion ky në anglishte i transmetuesit shtetëror kinez CCTV, dhe gazeta “Global Times” i kanë akuzuar haptas mediat perëndimore për anashkalimin e këtij lajmi.

Ekspertët shëndetësorë kanë thënë se vdekjet që nuk janë direkt të ndërlidhura me vaksinën mund të ndodhin gjatë fushatave masive të vaksinimit, ndërsa një panel i OBSH-së ka konstatuar se vaksina nuk ka luajtur ndonjë “rol kontribuues” në vdekjet e shënuara në Norvegji.

Mbulimi i mediave shtetërore pasoi një raport nga studiuesit në Brazil, të cilët kanë konstatuar se efikasiteti i njërës prej vaksinave të vendit kundër virusit pandemik është më i ulët sesa që është raportuar fillimisht. Studiuesit në fillim kanë konfirmuar se vaksina e “Sinovacut” është 78 për qind efikase, mirëpo shkencëtarët e rishikuan shkallën e efikasitetit në 50.4 për qind, pasi i përfshinë në testime rastet më të lehta simptomatike të sëmundjes.

Pas lajmeve nga Brazili, studiues të Institutit australian për Politika Strategjike, një organizatë kjo e matjes së opinionit publik e mbështetur nga Qeveria, ka raportuar të ketë evidentuar rritje të theksueshme të dezinformimit në mediat kineze lidhur me vaksinat.

Me dhjetëra artikuj online dhe bllogje të shëndetit publik e shkencës, si dhe në ueb faqe të tjera kanë shqyrtuar çështjen rreth efikasitetit të vaksinës së “Pfizerit” deri në thellësi, duke u mbështetur në një editorial të botuar këtë muaj në revistën shkencore britanike “Medical Journal”, që ngre pikëpyetje për të dhënat e testimeve klinike.

“Është tepër turpëruese për Qeverinë”, ka thënë Fang, nëpërmjet një emaili.

Si rezultat i kësaj, Kina është duke u munduar që të ndjellë dyshime rreth vaksinës së “Pfizerit” për t’ia shpëtuar vetes fytyrën dhe për t’i promovuar vaksinat e saj, ka thënë ajo.

Zyrtarë të lartë të Qeverisë kineze nuk kanë nguruar në shprehjen e shqetësimeve për vaksinat me bazë mARN-në, të zhvilluara nga kompanitë perëndimore farmaceutike. Ato e përdorin një teknologji më të re sesa qasja tradicionale, e përdorur aktualisht në vaksinat e prodhuara nga Kina.

Në dhjetor, drejtori i Qendrave kineze për Kontrollimin e Sëmundjeve, Gao Fu, ka thënë se nuk mund t’i përjashtojë efektet negative anësore të vaksinave me përbërje të mARN-së.

Duke cekur se kjo është hera e parë që të këtilla vaksina janë duke u përdorur te personat e shëndoshë, ai ka thënë se “ekzistojnë shqetësime për sigurinë” e tyre.

Vaksina mARN e “Pfizerit” dhe një tjetër e zhvilluar nga “Moderna” kanë kaluar si testimet me kafshë ashtu edhe ato në njerëz, me ç’rast kura është provuar te më shumë se 70.000 persona.

Partia Komuniste vs. OBSH-ja

Mbërritja e misionit të OBSH-së në Kinë ka sjellë me vete kritikën e vazhdueshme se vendi ka lejuar që virusi të përhapet globalisht, nëpërmjet reagimit tepër të ngadaltë në fillim, madje duke i frenuar mjekët që janë munduar ta paralajmërojnë publikun për rrezikun në ardhje.

Vizita e studiuesve do të fillojë me punën në terren gjatë kësaj jave, menjëherë pas daljes nga karantina e detyrueshme katërmbëdhjetëditore.

“Partia Komuniste e sheh hulumtimin e OBSH-së si një rrezik politik, për shkak se e përqendron vëmendjen te përgjigja e Kinës”, ka thënë Jacob Wallis, një analist i lartë në Institutin australian të Politikave Strategjike. “Partia po mundohet që t’i shpërqendrojë audiencat e brendshme dhe ato ndërkombëtare nëpërmjet devijimit të qëllimshëm të narrativit lidhur me përgjegjësinë mbi shfaqjen e COVID-19”, ka thënë Wallis.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunting, i ka vënë kapakun çështjes javën e shkuar, kur ka ringjallur thirrjet e mëhershme të Kinës që OBSH-ja të ndërmarrë një hetim në laboratorin ushtarak të SHBA-së.

Mediat shtetërore e vënë theksin te skandalet e mëhershme në këtë laborator, mirëpo puna është se Kina nuk ka ofruar dëshmi të qëndrueshme për ta mbështetur teorinë e saj mbi koronavirusin.

“Nëse Amerika e respekton të vërtetën, atëherë ju lutemi hapeni FT. Detrickun dhe ofroni publikut më shumë informata për 200 apo më shumë laboratorët biologjikë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Hua. “... Dhe ju lutem, lëreni grupin e ekspertëve të OBSH-së që të shkojnë në SHBA për ta hulumtuar origjinën e virusit”, ka shtuar ajo.

Komentet e saja, të publikuara në mediat sociale, janë shndërruar në njërën prej temave më të njohura në “Sina Weibon”, një rrjet ky social i ngjashëm me “Twitterin” që përdoret gjerësisht në Kinë.

Kina, megjithëkëtë, nuk është Qeveria e vetme që drejton gishtin e fajësisë, pa fakte.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, në përpjekje për ta shmangur fajin e menaxhimit të pandemisë, kishte thënë gjatë vitit të shkuar se ka parë dëshmi që tregojnë se virusi ka ardhur nga një laborator në Wuhan.

Gjersa kjo teori e konspiracionit nuk është përjashtuar ende përfundimisht, shumë ekspertë kanë pretenduar se një gjë e tillë nuk ka gjasa të kishte ndodhur. \ AP