Botë

Tentoi të kthehej në Kore të Veriut me autobus të vjedhur, arrestohet në kufi verikoreani

Kufiri i Kore e Jugut me Korene e Veriut

Foto: Getty Images

Policia jugkoreane ka arrestuar një verikorean që kishte tentuar ta kalonte kufirin e të kthehej në Kore të Veriut me një autobus të vjedhur, raporton “BBC”. 

Burri është kapur të martën në Urën e Unifikimit që ndanë dy Koretë. Ai kishte injoruar ushtarët që i kërkonin të ndalonte dhe përplasi autobusin në barrikada. Ai kishte ikur më herët nga Koreja e Veriut dhe synonte të kthehej. 

Mbi 34 mijë verikoreanë vlerësohet se kanë ikur për në Kore të Jugut që nga ndarja e gadishullit Korean mbi 70 vjet më parë.  Është e rrallë që personat që ikin nga Koreja e Veriut tentojnë të kthehen. 

Burri në të 30-at i tha policisë se dëshiron të kthehet në shtëpi pasi ka hasur në vështirësi në Kore të Jugut.  Ai ishte larguar nga Koreja e Veriut rreth një dekadë më parë. 

Kishte vjedhur një autobus rreth orës 1 me kohë lokale të martën nga një garazh në qytetin Paju dhe u kap rreth gjysmë ore më vonë.