Botë

Tensione në mes të Kinës dhe Australisë pas incidentit ajror ushtarak

Anthony Albanese

Kryeministri australian, Anthony Albanese

Kina i ka kërkuar Australisë që të ndalojë “provokimet” pasi kryeministri australian reagoi për incidentin ajror ushtarak mes një aeroplani luftarak kinez që vuri në rrezik një helikopter të marinës australiane. 

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme i Kinës, Lin Jian ka thënë në një konferencë të martën se aeroplani ushtarak kinez reagoi sepse helikopteri australian u afrua “qëllimisht” pranë hapësirës ajrore të Kinës dhe rrezikoi sigurinë detare dhe ajrore të Kinës.

Lin ka thënë se ushtria kineze reagoi në mënyrë profesionale dhe të sigurt, raporton “Associated Press”.
Sipas autoriteteve australiane incidenti ndodhi të shtunën derisa helikopteri ushtarak Seahawk po zbatonte sanksionet e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuar kundër Koresë së Veriut në ujërat ndërkombëtare mbi Detin e Verdhë, kur avioni i Forcave Ajrore të Kinës hodhi flakë mbi të.

Helikopteri arriti t’i shmangte flakët. Konfrontimi vuri në rrezik personelin në bord, megjithëse askush nuk u lëndua, raporton Reuters.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese e ka quajtur të papranueshme vënien në rrezik të personelit australian të mbrojtjes nga ushtria kineze.