Botë

Tenneesee, front i ri në betejën për demokracinë amerikane

Presidenti i Ligës Kombëtare Urbane, Marc Morial, ka theksuar se çështja kishte të bënte me racën, por “nuk ka të bëjë vetëm me racën. Bëhet fjalë për vlerat bazë amerikane”. Duke iu referuar të drejtës së votës, lirisë së fjalës dhe lirisë së tubimit, ai ka thënë se “duket sikur legjislatura e Tennesseet ka nevojë për rifreskim në Kushtetutën amerikane”

(AP) – Tenneessee është bërë front i ri në betejën për të ardhmen e demokracisë amerikane, pasi republikanët dëbuan dy ligjvënës afro-amerikanë nga legjislatura e shtetit për organizimin e një proteste, me të cilën kërkuan miratimin e masave për kontrollin e armëve.

Në votime të veçanta, supershumica e republikanëve ka përjashtuar Justin Jones dhe Justin Pearson, lëvizje që ka rreth 140 mijë votues në rrethet kryesisht afro-amerikane në Nashville dhe Memphis pa përfaqësim në Shtëpinë e Tennesseet.

Kevin Webb, mësues 53-vjeçar nga distrikti i Pearson, ka thënë se heqja e tij “për një shkelje kaq të vogël” është “Amerika klasike”.

“Ka pasur paragjykime kundër individëve afro-amerikanë në këtë vend për 500 vjet”, ka theksuar Webb. “Çfarë na bën të mendojmë se do të ndalet krejt papritur?”.

Pearson dhe Jones u përjashtuan në shenjë hakmarrjeje për rolin e tyre në protestë, e cila u shpalos si pasojë e të shtënave në shkollë në Nashville që la të vdekur gjashtë persona, duke përfshirë tre studentë të rinj. Një demokrat i tretë u kursye nga përjashtimi me një diferencë prej një vote.

“Erozion i ngadaltë”

Largimi i ligjvënësve, të cilët u zgjodhën vetëm së fundmi, pasqyron një tendencë në dhjetëra shtete ku republikanët po përpiqen ta vështirësojnë votën dhe ta sfidojnë integritetin e procesit zgjedhor.

Të paktën 177 projektligje që kufizojnë votimin ose krijojnë sisteme që mund t’i frikësojnë votuesit ose të lejojnë ndërhyrjen partiake janë paraqitur në dhjetëra shtete deri më tani këtë vit, sipas Qendrës Brennan.

“Ai përfaqëson një erozion vërtet të ngadaltë të demokracisë sonë”, ka thënë Neha Patel, bashkëdrejtoreshë ekzekutive e State Innovation Exchange, qendër strategjike për ligjvënësit shtetërorë që punojnë drejt politikave progresive.

Patel i quajti dëbimet “vazhdimësi e një strategjie me rreze të gjatë”. Ajo ka sqaruar se dikur ishte “e paprecedentë” që shtetet ta bënin më të vështirë për njerëzit të votonin, por praktika është bërë “e zakonshme”.

Është bërë e zakonshme gjithashtu që GOP ta sfidojë procesin zgjedhor dhe të ngrejë pyetje në lidhje me integritetin e zgjedhjeve. Pyetja tjetër është nëse shtetet me supershumicë republikane do ta ndjekin shembullin e Tennessee-t në dëbimin e kundërshtarëve me këndvështrime të ndryshme, është shprehur ajo.

Fred Wertheimer, themelues dhe president i Demokracisë 21, organizatë jopartiake që punon për një qeverisje më të mirë, ka treguar se përjashtimet përgjithësisht janë rezervuar për ligjvënësit e përfshirë në veprimtari kriminale.

Votuesit që humbasin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur për të bërë punën e tyre është “e padëgjuar”, ka thënë Wertheimer. Ai nuk ka mësuar për ndonjë veprim të ngjashëm në shtetet e tjera, “por këto gjëra sikur po udhëtojnë”.

Aksioni në Tennessee tërhoqi protesta nga një sërë grupesh.

Përpjekjet për drejtësi

Presidenti i Ligës Kombëtare Urbane, Marc Morial, ka theksuar se çështja kishte të bënte me racën, por “nuk ka të bëjë vetëm me racën. Bëhet fjalë për vlerat bazë amerikane”.

Duke iu referuar të drejtës së votës, lirisë së fjalës dhe lirisë së tubimit, ai tha: “Duket sikur legjislatura e Tennessee-t ka nevojë për një rifreskim në Kushtetutën amerikane”.

Presidenti i Congressional Black Caucus, deputeti i Nevadës, Steven Horsford, bëri thirrje që ligjvënësit e Tennessee-t të kthehen në vendet e tyre dhe që Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, të shqyrtojë shkeljet e mundshme të Aktit të të Drejtave të Votimit.

Presidenti dhe shefi ekzekutiv i NAACP-së , Derrick Johnson ka shpjeguar se organizata e të drejtave civile ishte e përgatitur për të ndërmarrë veprime ligjore “për të siguruar që kjo përpjekje e urryer për ta ndalë zërin e njerëzve të adresohet në një gjykatë”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Cameron Sexton, u tërhoq kundër kritikave se ai po linte mijëra banorë të Tennessee-t pa përfaqësim dhe po ua ndalonte lirinë e shprehjes.

“Ka pasoja për veprimet”, ka thënë ai. “Ata anëtarë ndalën zërin në këtë dhomë për 45 minuta kur ishin në katin e Dhomës duke udhëhequr protestën dhe duke prishur biznesin që ne po bëjmë”.

Pjesëmarrja e treshes në demonstratë zgjati vetëm disa minuta. Ishte Sexton ai që bëri thirrje për një pushim për t’u takuar me ligjvënësit.

Webb vuri në dyshim pse Jones dhe Pearson do të dëboheshin, ndërsa republikania, Gloria Johnson, e cila është e bardhë, jo.

Clayton Cardwell, i cili jeton në rrethin e Jones në Nashville, ka thënë në një intervistë telefonike se protesta në favor të ligjeve më të rrepta për armët ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”.

“Unë shpresoja që e gjithë Dhoma do të bashkohej”, ka theksuar ai. Kur mësuesi në pension po merrte diplomën e tij master në arsimin special, Cardwell kujton se i thanë se mësimdhënia ishte profesioni më i sigurt që mund të kishte. “Tani mendoj se është një nga më të rrezikshmit”.

Avokati i Nashville-t, Chris Wood, ishte aq i shqetësuar për dëbimin e mundshëm të përfaqësuesit të tij, saqë ai shkoi në Kapitol për të parë procedurat.

“Ishte e tmerrshme”, ka treguar ai. “Ishte shpërdorim i pushtetit”.

Wood ka tre fëmijë në shkollat publike dhe e quajti “të pabesueshme dhe imorale” që shumica republikane do të refuzonte të merrte në konsideratë kufizimet e armëve.

Asnjë çështje nuk mund të jetë më e rëndësishme për komunitetin “se sa t’i jepet fund dhunës me armë dhe t'i lëmë fëmijët tanë të kthehen në shtëpi në fund të ditës”, ka thënë ai. “Ky është i vetmi vend në botë ku ndodh kjo”.

Wood pret që Jones dhe Pearson të kthehen së shpejti. Ata mund të riemërohen në Dhomën e Përfaqësuesve nga komisionet e qarqeve në rrethet e tyre dhe të konkurrojnë sërish në zgjedhje të posaçme.

Përktheu: Blerta Haxhiu

Image