Botë

Telegrami refuzoi të bashkohej me skemat e mbrojtjes së fëmijëve, raporton BBC-ja

Pavel Durov

Foto: Associated Press

Shërbimi i aplikacionit të mesazheve “Telegram”, shefi i të cilit është arrestuar në Francë të shtunën, kishte refuzuar vazhdimisht të bashkohej me programet ndërkombëtare që synojnë zbulimin dhe heqjen e materialeve të abuzimit të fëmijëve në internet, ka mësuar BBC-ja.

Aplikacioni nuk është anëtar as i Qendrës Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC) dhe as i “Internet Watch Foundation” (IWF), të cilat që të dyja punojnë me shumicën e platformave në internet për të gjetur, raportuar dhe hequr materiale të tilla.

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i aplikacionit, Pavel Durov i cili ka më shumë se 950 milionë përdorues të regjistruar, vazhdon të mbetet në paraburgim në Francë.

Miliarderi Durov është arrestuar për shkelje të dyshuara në lidhje me mungesën e moderimit në platformë.

Sipas zyrtarëve, 39-vjeçari akuzohet për mosbashkëpunim me forcat e rendit për trafik droge, përmbajtje seksuale për fëmijë dhe mashtrim.

Telegrami thotë se moderon në mënyrë proaktive përmbajtje të dëmshme në platformën e saj, duke përfshirë materialet e abuzimit me fëmijët. Kompania këmbëngul se moderimi i saj është "brenda standardeve të industrisë dhe vazhdimisht po përmirësohet".

Megjithatë, ndryshe nga të gjitha rrjetet e tjera sociale, ai nuk është i regjistruar në programe si CyberTipline i NCMEC, i cili ka më shumë se 1,600 kompani të regjistruara në internet.

Firmave me bazë në SHBA u kërkohet ligjërisht të regjistrohen, por 16% e kompanive që marrin pjesë janë jo me bazë në SHBA.

Telegram ndodhet në Dubai, atje ku jeton Durov.

Shumica dërmuese e raportimeve të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve erdhën nga gjigantët e teknologjisë dhe rrjetet sociale, duke përfshirë: Facebook, Google, Instagram, TikTok, Twitter (X), Snapchat dhe WhatsApp.

BBC-ja ka kuptuar se NCMEC i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur Telegramit që të bashkohet për të ndihmuar në trajtimin e materialit të abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM), por platforma kishte injoruar kërkesat.

Telegrami gjithashtu refuzon të punojë me “Internet Watch Foundation”, i cili është ekuivalenti i NCMEC në Mbretërinë e Bashkuar.

Një zëdhënës i IWF-së ka thënë se "megjithë përpjekjet për t'u angazhuar në mënyrë proaktive me Telegramim gjatë vitit të kaluar, ata nuk janë anëtarë të IËF-së dhe nuk marrin asnjë nga shërbimet tona për të bllokuar, parandaluar dhe penguar ndarjen e imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve".

BBC-ja ka kontaktuar Telegramin për koment në lidhje me refuzimin e tij për t'u bashkuar me skemat e mbrojtjes së fëmijëve, dhe mori një përgjigje pas publikimit e cila është përfshirë në këtë tekst.

Një normë tjetër me të cilën Telegrami nuk përputhet në mënyrën e zakonshme është edhe Raportimi i Transparencës.

Çdo gjashtë muaj, rrjetet sociale publikojnë një listë të të gjitha përmbajtjeve të hequra për shkak të kërkesave të policisë.

Shumica e rrjeteve të tjera sociale, duke përfshirë aplikacionet e Metës, Snapchat dhe TikTok publikojnë raportet e tyre në internet me vitet e mëparshme ku mund të referohesh. 

Telegrami nuk ka një uebsajt të tillë.

Telegrami ka gjithashtu një sistem të pazakontë edhe në raport me mediat. Mënyra e kontaktit është përmes një roboti të automatizuar në aplikacion, i cili BBC-së nuk i është përgjigjur kurrë gjatë muajve të përpjekjeve për të marrë një përgjigje ndaj kërkesave të ndryshme.

LEXO EDHE: