Botë

Teknologjia përballë propagandës së Rusisë

RT dhe llogari të tjera të mediave shtetërore ruse janë ende aktive në Facebook në SHBA. Twitter pasi shihte më shumë se 45,000 njoftime në ditë nga përdoruesit që shpërndajnë linqet e mediave të lidhura me shtetin rus gjatë ditëve të fundit, lajmëroi të hënën se do të shtojë etiketa në përmbajtje nga faqet e internetit të Kremlinit. Kompania tha gjithashtu se nuk do t'i rekomandonte ose udhëzonte përdoruesit në faqet e internetit të lidhura me Rusinë në funksionin e saj të kërkimit.

Derisa lufta e Rusisë ndaj Ukrainës shpërfaqet në botë nga platforma mediatike, platformat e teknologjive të mëdha bëjnë përpjekje në izolimin e mediave shtetërore ruse ndaj përdorimit të platformave të tyre për të përhapur propagandë dhe dezinformata.

Google njoftoi të martën se është duke bllokuar kanalet e Youtube të këtyre ndërmarrjeve në Evropë “e hyrë në fuqi menjëherë”, por pranoi se "do të duhet kohë që sistemet tona të rriten plotësisht".

Kompani të tjera në pronësi të SHBA-së kanë ofruar ndryshime më modeste deri më tash: duke kufizuar shtrirjen e Kremlinit, duke etiketuar më shumë nga kjo përmbajtje në mënyrë që njerëzit të dinë se e ka origjinën nga qeveria ruse, dhe duke larguar organet shtetërore ruse nga çfarëdo të ardhurash nga reklamat që bënin më parë.

Ndryshimet janë një akt i balancuar me kujdes, qëllimi i të cilave është ngadalësimi i Kremlinit në shpërndarjen e propagandës në burimet e mediave sociale pa i zemëruar zyrtarët Rus deri në piken që ata të pengojnë qasjen e qytetarëve të tyre në platforma gjatë një kohe vendimtare lufte, tha Katie Harbath, ish-drejtoreshë e politikave publike për Facebook.

“Ata po mundohen të ecin në një litar shumë të hollë; ata po bëjnë këtë vallëzim”, tha Harbeth, e cila tani shërben si drejtoreshë e teknologjisë dhe demokracisë në Institutin Republikan Ndërkombëtar. “Ne duam t'i kundërvihemi Rusisë, por gjithashtu nuk duam të mbyllemi në vend. Deri ku mund ta shtyjmë këtë?”

Qëndrimi i Facebookut

Meta, që zotëron Facebook dhe Instagram, njoftoi të hënën se do të kufizojë qasjen në shërbimet ruse RT dhe Sputnik në Evropë, pas një deklarate të presidentes së Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fundjavës se zyrtarët po punojnë për të ndaluar faqet në të gjithë BE-në.

Google pasoi të martën me një ndalim evropian të këtyre dy pikave në YouTube.

SHBA-ja nuk ka ndërmarrë veprime të ngjashme apo nuk ka aplikuar sanksione ndaj mediave shtetërore ruse, duke i lënë kompanitë e teknologjisë në pronësi amerikane të luftojnë për gjetjen e mënyrës se si të zbehin vetë shtrirjen e Kremlinit.

Rezultatet kanë qenë të përziera.

RT dhe llogari të tjera të mediave shtetërore ruse janë ende aktive në Facebook në SHBA. Twitter pasi shihte më shumë se 45,000 njoftime në ditë nga përdoruesit që shpërndajnë linqet e mediave të lidhura me shtetin rus gjatë ditëve të fundit, lajmëroi të hënën se do të shtojë etiketa në përmbajtje nga faqet e internetit të Kremlinit. Kompania tha gjithashtu se nuk do t'i rekomandonte ose udhëzonte përdoruesit në faqet e internetit të lidhura me Rusinë në funksionin e saj të kërkimit.

Gjatë fundjavës, kompania me bazë në Menlo Park, Kaliforni njoftoi se po ndalonte reklamat nga media shtetërore ruse dhe kishte hequr një rrjet prej 40 llogarish, faqesh dhe grupesh të rreme që publikonin tema proruse. Rrjeti përdorte persona fiktivë që paraqiteshin si gazetarë dhe ekspertë, por nuk kishte shumë audiencë.

Facebook filloi të etiketonte mediat e kontrolluara nga shteti në vitin 2020.

Ndërkohë, Microsoft njoftoi se nuk do të shfaqte përmbajtje ose reklama nga RT dhe Sputnik, ose të përfshinte aplikacionet e RT në dyqanin e saj të aplikacioneve. Dhe YouTube, pronë e Google, i kufizoi mediat shtetërore ruse nga fitimi i parave përmes reklamave në këtë faqe, megjithëse mediat ende po ngarkojnë video çdo disa minuta në faqe.

“Lulëzimi” në TikTok

Për krahasim, metoda e qasjes së ndërmarrë nga TikToku, një platformë kineze e njohur në SHBA për video të shkurtra dhe qesharake, ka lejuar që propaganda proruse të lulëzojë në faqen e saj. Kompania nuk iu përgjigj mesazheve që kërkonin koment.

Një video e fundit e postuar në kanalin TikTok të RT-së përmban një klip të Steve Bannon, një ish-këshilltar i lartë i ish-presidentit Donald Trump, i cili tani pret një podcast me prirje për keqinformim dhe teori konspirative.

“Ukraina as nuk mund të konsiderohet shtet. Është një lloj koncepti", tha Bannon në klip, duke i bërë jehonë një pretendimi të presidentit rus, Vladimir Putin. “Pra, kur flasim për sovranitetin dhe vetëvendosjen, është thjesht një zonë e korruptuar ku Klintonët janë kthyer në një koloni ku mund të vjedhin para”.

Image

Microsoft njoftoi se nuk do të shfaqte përmbajtje ose reklama nga RT dhe Sputnik, ose të përfshinte aplikacionet e RT në dyqanin e saj të aplikacioneve


Përpjekjet e Facebookut për të kufizuar shtrirjen e medias shtetërore ruse, tashmë kanë tërhequr zemërim nga zyrtarët rusë. Javën e kaluar, zyrtarët e Meta thanë se kishin kundërshtuar kërkesën e Rusisë për të ndaluar kontrollimin e fakteve ose etiketimin e postimeve të bëra nga media shtetërore ruse. Zyrtarët e Kremlinit u përgjigjën duke kufizuar qasjen në Facebook.

Kompania ka mohuar gjithashtu kërkesat e zyrtarëve ukrainas, të cilët i kanë kërkuar Metës të heqë përfshirjen në platformat e saj në Rusi. Kjo do të parandalonte rusët e përditshëm që të përdorin platformat për të mësuar rreth luftës, për të shprehur pikëpamjet e tyre ose për të organizuar protesta, sipas Nick Clegg, i emëruar së fundmi nënkryetar i kompanisë për çështjet globale.

“Ne besojmë se duke fikur shërbimet tona do të shkaktojmë heshtje te shprehjes se rëndësishme në një moment vendimtar”, shkroi Clegg në Twitter të dielën.

Etiketimi më agresiv i mediave shtetërore dhe lëvizjet për të ç‘theksuar përmbajtjen e tyre në internet mund të ndihmojnë në reduktimin e përhapjes së materialeve të dëmshme pa eliminuar një burim kyç informacioni, tha Alexandra Givens, CEO e Qendrës për Demokraci dhe Teknologji, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Uashington.

“Këto platforma janë një mënyrë për disidentët që të organizohen dhe të protestojnë”, tha Givens. “Tregimi më i qartë i kësaj është se regjimi është përpjekur të mbyllë qasjen në Facebook dhe Twitter”.

Propaganda ruse

Rusia ka shpenzuar vite duke krijuar aparatin e saj të përhapjes së propagandës, i cili përmban me dhjetëra faqe që synojnë miliona njerëz në gjuhë të ndryshme. Kjo përgatitje po e bën të vështirë për çdo kompani teknologjike që të ndërmarrë një reagim të shpejtë, tha Graham Shellenberger në Miburo Solutions, një firmë që gjurmon dezinformimin dhe fushatat e ndikimit.

"Ky është një sistem që është ndërtuar mbi 10 vjet, veçanërisht kur bëhet fjalë për Ukrainën", tha Shellenberger. “Ata kanë krijuar kanalet, kanë krijuar lajmëtarët. Dhe krejt papritur tani, ne po fillojmë të marrim masa kundër tij.”

Redfish, faqe në Facebook, që është etiketuar si media e kontrolluar nga shteti rus, ka krijuar një audiencë kryesisht amerikane dhe me prirje liberale prej më shumë se 800,000 ndjekësish gjatë viteve.

Faqja ka postuar ditët e fundit sentiment anti-SHBA dhe ka tentuar të minimizojë pushtimin rus të Ukrainës, duke e quajtur atë një "operacion ushtarak" dhe duke dedikuar postime të shumta për të theksuar protestat kundër luftës në të gjithë Rusinë.

Një postim në Facebook përdori gjithashtu një fotografi të një harte për të nënvizuar sulmet ajrore në pjesë të tjera të botës.

“Mos lejoni që eurocentrizmi i medias kryesore të diktojë mbështetjen tuaj morale për viktimat e luftës”, thuhet në postim.

Javën e kaluar, senatori amerikan Mark Warner nga Virxhinia i dërgoi letra Google, Meta, Reddit, Telegram, TikTok dhe Twitter duke i kërkuar që të frenojnë fushata të tilla të ndikimit rus në faqet e tyre të internetit.

"Përveç përdorimit të vendosur të operacioneve të ndikimit nga Rusia si një mjet ndikimi strategjik, lufta e informacionit përbën një pjesë integrale të doktrinës ushtarake ruse," shkroi Warner.

Përktheu: Artinë Rexhepi