Botë

Të vërtetat që rrëzojnë konspiracionet se lufta në Ukrainë është e rreme

Përvjetori i parë i pushtimit të Ukrainës nga Rusia ka çuar në një rritje të pretendimeve të rreme për luftën në mediat sociale, me disa postime që fituan miliona reagime.

Një numër llogarish nga krahu i djathtë amerikan me ndjekës të shumtë postuan një sërë pretendimesh të pabaza që sugjeronin se gjithë lufta në Ukrainë mund të ishte një mashtrim i bërë nga mediat dhe qeveritë perëndimore.

Ata që përhapen pretendimet më virale përfshinin disa që më parë ishin pezulluar nga Twitteri dhe ishin lejuar të kthehen në platformë pas marrjes nga Elon Musk.

Image

Një pretendim i rremë që ka fituar shumë vëmendje në Twitter dhe gjithandej në rrjete sociale sugjeroi se e gjithë lufta është e falsifikuar.

Si provë, disa llogari të njohura cituan mungesën e pamjeve të luftës.

Një komentues u ankua për “mungesë të pamjeve nga lufta” në një postim viral, duke thënë se “e gjithë është mashtrim”.

Një tjetër influencer në Twitter me 1.4 milionë ndjekës pretendoi se nuk kishte “asnjë filmim” dhe “asnjë përditësim të detajuar të luftës”.

Ai postim u shpërnda më vonë nga ish-këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Michael Flynn, i cili shtoi: “Unë e sfidoj këdo që e akuzon që e ka gabim”.

Megjithatë, lufta në Ukrainë ka qenë e dokumentuar mirë.

Krahas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, ka pasur pamje të bollshme nga vija e frontit ukrainas të paraqitura nga BBC-ja dhe transmetues të tjerë globalë, të cilët kanë ekzaminuar gjithashtu tregime të rreme për disa nga ngjarjet kryesore të konfliktit. Ka gjithashtu prova nga qeveritë dhe agjencitë në mbarë botën që konfirmojnë se lufta është e vërtetë.

Ai postim u nda më vonë nga ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, Michael Flynn, i cili shtoi: "Unë guxoj dy herë këdo të thotë se ai e ka gabim".

Që në fillim, rrjetet sociale kanë qenë plot me video të luftës, shumë prej të cilave janë verifikuar si të vërteta nga gazetarët.

 

Image

Dy ditë pas pushtimit të Rusisë, pamjet e një ndërtese shumëkatëshe në Kiev me një vrimë të madhe pasi u godit nga një raketë u shpërndanë gjerësisht në mbarë botën. Gazetarët mbuluan me detaje pasojat e dëmeve nga vendi i ngjarjes.

Ditët e fundit, imazhet e kësaj ndërtese, e cila më pas është riparuar dhe rindërtuar pjesërisht janë bërë virale në rrjetet sociale.

Imazhi çoi në pretendimet se ose blloku nuk është goditur kurrë, ose se e gjithë lufta është një mashtrim, sepse sipas tyre, do të ishte e pamundur të restaurohet një ndërtesë gjatë një konflikti në vazhdim.

Një podkaster i krahut të djathtë dhe aktivist kundër vaksinave, llogaria e të cilit ishte ndaluar më herët e së fundmi u rikthye në Twitter, ishte ndër ata që e shpërndanë pretendimin.

Megjithatë, përveç sulmeve të rregullta raketore ruse, Kievi nuk ka qenë në vijën e parë të luftës që nga fundi i marsit të vitit 2022, kur forcat ruse u tërhoqën nga qyteti dhe rrethinat e tij për t’u përqendruar në Ukrainën lindore.

Procesi i riparimit dhe rindërtimit të bllokut filloi në maj të vitit të kaluar edhe është raportuar në detaje nga mediat ukrainase, së bashku me imazhet e bllokut në ndërtim gjatë gjithë verës dhe vjeshtës.

Image

Një video që pretendon të tregojë një reporter lajmesh në Ukrainë duke qëndruar përballë rreshtave të kufomave në çanta trupash, derisa njëri prej trupave “duke lëvizur” është parë miliona herë në ditët e fundit.

Ajo çoi në pretendimet se ishte “provë” e aktorëve që punësoheshin për të luajtur kufoma për të mbështetur narrativën perëndimore mbi luftën në Ukrainë.

“Ndaloni së lëvizuri - supozohet se keni vdekur!?" pretendoi një cicërimë e shpërndarë gjerësisht nga një llogari e krahut të djathtë.

Videoja u nda me pretendime të ngjashme nga disa influencues të tjerë të krahut të djathtë në Facebook dhe TikTok.

Videoja është marrë nga një raport i gazetës austriake Osterreich për një protestë klimatike në Vjenë në fillim të shkurtit të vitit të kaluar, para se të fillonte pushtimi rus, në të cilin aktivistët synonin të nënvizonin rrezikun e emetimeve të karbonit për jetën e njeriut.

Kjo video jo vetëm që është e rreme, por është një shkelje e përsëritur. Më parë ishte shpërndarë si "provë" se vdekjet nga Covid ishin falsifikuar.

Image

Fotot virale dhe një video e shpërndarë në internet pretendojnë se tregojnë zbulimin “aksidental” të dy figurave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, në të njëjtin vend.

Një pretendim, i parë nga miliona, është se presidenti ukrainas ka një “trup sekret” apo një person i cili i ngjanë atij, e i cili u shfaq gabimisht në pamjet e transmetuara nga televizioni polak, me sa duket i veshur me të njëjtën veshje si presidenti.

Postimet e tjera tregojnë të njëjtin njeri në sfond gjatë vizitës së Presidentit të SHBA Joe Biden në Kiev javën e kaluar.

Megjithatë, njeriu në fjalë është lehtësisht i identifikueshëm si Maksym Donets, truproja personale e Zelenskyt. Sipas Reuters, Donets ka qenë kreu i ekipit të sigurisë së presidentit që nga maji 2019.

Imazhet e tij duke ndjekur presidentin ukrainas në publik me veshje të ndryshme mund të gjenden lehtësisht në internet.