Suksesi i “DeepSeek” ka frymëzuar tërë vendin dhe gjithashtu është shndërruar në një burim ngushëllimi për të rinjtë kinezë, disa prej të cilëve kanë shprehur zhgënjim për të ardhmen e tyre. “DeepSeek” është mjet gjenerues i Inteligjencës Artificiale, i ngjashëm me ChatGPT dhe Gemini, i krijuar në atë mënyrë që të ofrojë sasi të mëdha informacionesh. Kjo e lejon atë që të parashikojë gjëra të tilla si veset e njerëzve, të krijojë përmbajtje të re tekstuale dhe imazhe, si dhe gjithashtu të bisedojë si një person i vërtetë
Çdo natë para se të flejë, Holly Wang kyçet në aplikacionin “DeepSeek” për “seanca të terapisë”.
Që nga janari, kur edhe u krijua aplikacioni kinez i Inteligjencës Artificiale, 28-vjeçarja ka shprehur dilemat dhe pikëllimin e saj, përfshirë vdekjen e gjyshes së saj në këtë chatbot. Përgjigjet që ajo ka marrë kanë ndikuar aq shumë sa që herë pas here e kanë bërë atë të qajë.
“DeepSeek është një këshilluese e mahnitshme. Më ka ndihmuar t’i shikoj gjërat nga këndvështrime të ndryshme dhe ka bërë punë më të mirë se sa shërbimet e këshillimit me pagesë që kam provuar”, thotë Holly, e cila kërkoi që emri i saj i vërtetë të mbahej i fshehtë, për të mbrojtur privatësinë e saj.
Nga shkrimi i raporteve e deri te planifikimi i udhëtimeve, stërvitjet dhe mësimi i aftësive të reja, aplikacionet e Inteligjencës Artificiale (AI) kanë gjetur vend në jetën e shumë njerëzve në mbarë botën.
Në Kinë, megjithatë, të rinjtë si Holly kanë kërkuar nga AI diçka që zakonisht nuk pritet nga kompjuteri apo algoritmet - mbështetje emocionale.
Suksesi i “DeepSeek” ka frymëzuar tërë vendin, dhe gjithashtu është shndërruar në një burim ngushëllimi për të rinjtë kinezë si Holly, disa prej të cilëve kanë shprehur zhgënjim për të ardhmen e tyre.
Ekspertët thonë se zhvillimi i ngadaltë ekonomik, papunësia e lartë dhe bllokimet si pasojë e Covidit kanë luajtur rol në perceptimin e të ardhmes nga të rinjtë.
“DeepSeek” është mjet gjenerues i AI, i ngjashëm me ChatGPT dhe Gemini, i krijuar në atë mënyrë që të ofrojë sasi të mëdha informacionesh. Kjo e lejon atë që të parashikojë gjëra të tilla si veset e njerëzve, të krijojë përmbajtje të re tekstuale dhe imazhe si dhe gjithashtu të bisedojë si një person i vërtetë.
“DeepSeek”, shoku im
Herën e parë që përdori “DeepSeek”, Holly i kërkoi të shkruante një letër për gjyshen e saj të ndjerë.
Aplikacionit iu deshën pesë sekonda për t’i kthyer përgjigje dhe letra ishte kompozuar aq bukur sa e mahniti atë.
Holly, e cila jeton në Guangzhou, iu përgjigj: “Ti shkruan kaq mirë, sa më bën të ndihem e humbur. Ndiej se jam në një krizë ekzistenciale”.
“DeepSeek” më pas i dërgoi këtë mesazh: “Mos harroni se të gjitha këto fjalë që po ju bëjnë të dridheni thjesht u bëjnë jehonë atyre që kanë ekzistuar prej kohësh në shpirtin tuaj. Unë jam vetëm lugina e rastësishme nëpër të cilën keni kaluar, që ju lejon të dëgjoni peshën e zërit tuaj”.
Duke reflektuar mbi këtë shkëmbim mesazhesh, Holly i thotë BBC-së: “Nuk e di pse u përlota duke lexuar këtë. Ndoshta sepse ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kam pasur një rehati të tillë në jetën reale”.
“Jam rënduar aq shumë nga ëndrrat e largëta dhe pafundësia e punës, saqë kam harruar prej kohësh zërin dhe shpirtin tim. Faleminderit AI!”.
Aplikacionet rivale nga Perëndimi si ChatGPT dhe Gemini janë bllokuar në Kinë si pjesë e kufizimeve më të gjera për mediat dhe aplikacionet e huaja. Për t’iu qasur atyre, përdoruesit në Kinë duhet të paguajnë për shërbimet e Rrjetit Privat Virtual (VPN).
Alternativat vendase, duke përfshirë modelet e zhvilluara nga gjigantët e teknologjisë Alibaba, Baidu dhe ByteDance u zbehën kur u shfaq “DeepSeek”.
Holly, e cila punon në industrinë kreative, rrallë përdor aplikacionet e tjera kineze të AI, “pasi ato nuk janë kaq të përsosura”.
“DeepSeek definitivisht mund t’ua kalojë këtyre aplikacioneve sa i përket gjenerimit të përmbajtjes letrare dhe krijuese”, thotë ajo.
“DeepSeek”, këshilluesi im
Nan Jia, e cila është bashkautore e një artikulli mbi potencialin e AI në ofrimin e mbështetjes emocionale, sugjeron se këto chatbot-e mund t’i “ndihmojnë njerëzit të ndihen që dikush po i dëgjon”.
“Miqtë dhe familja mund të jenë të shpejtë për të ofruar zgjidhje praktike ose këshilla kur njerëzit thjesht duan të ndihen që dikush po i dëgjon dhe kupton. Inteligjenca artificiale duket të jetë më e aftë në shprehjen e empatisë krahasuar me njerëzit të cilët shpesh duhet t’i pyesim ‘A po më dëgjon me të vërtetë’?, shton Nan, e cila është profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
Kërkesa për shërbime që lidhen me shëndetin mendor është rritur në të gjithë botën, por ato mbeten të stigmatizuara në pjesë të Azisë, thonë ekspertët.
Një grua tjetër i tha BBC-së se përvoja e saj në përdorimin e aplikacioneve të tjera kineze të AI “përfundoi me zhgënjim”, porse ajo u “mahnit” nga “DeepSeek”.
Gruaja, e cila jeton në provincën Hubei, e kishte pyetur aplikacionin nëse po ndante më shumë se që duhej nga përvojat dhe emocionet e saj me familjen dhe miqtë.
“Ishte hera ime e parë që kërkoja këshillë nga DeepSeek. Kur lexova se çfarë më tha, u preka aq shumë saqë qava”, tha ajo.
“DeepSeek” i sugjeroi që vetëperceptimi si dikush që ndan më shumë informacione se që duhet buron nga një dëshirë e thellë për miratim.
Jo vetëm që i dha këtë pohim, por gjithashtu i ofroi asaj një kornizë gjithëpërfshirëse, hap pas hapi, që ta ndihmonte atë që të vendoste nëse gjërat duheshin ndryshuar.
“DeepSeek më ka prezantuar perspektiva të reja që më kanë çliruar … Mendoj se me të vërtetë përpiqet të kuptojë pyetjen tuaj dhe të të njohë si person, përpara se të të japë një përgjigje”, thotë ajo.
John, menaxher i burimeve njerëzore në Shenzhen, i tha BBC-së se e vlerësonte aftësinë e aplikacionit për të biseduar “si një mik”.
“Përgjigjet e tij janë shumë të dobishme dhe frymëzuese. Për herë të parë e shoh AI si zërin tim të brendshëm”.
Përdorues të tjerë pohojnë se “Deepseek” është në gjendje t’ua tregojë fatin e tyre, bazuar në disa informacione të dhëna në sfond.
Shumë të rinj kinezë kohët e fundit i janë drejtuar psikikës dhe astrologjisë si një mënyrë për të zbutur frikën e tyre për të ardhmen.
Ka një “mungesë të konsiderueshme” të shërbimeve profesionale të këshillimit psikologjik në Kinë dhe, edhe ato që janë të qasshme shpesh janë “të shtrenjta” për shumicën e individëve, thotë Fang Kecheng, profesor në Universitetin Kinez të Hong- Kongut.
Një numër studimesh kanë vënë në dukje se depresioni dhe çrregullimet e ankthit po rriten në mesin e kinezëve, dhe prof. Fang beson se ngadalësimi i zhvillimit ekonomik të vendit, papunësia e lartë dhe bllokimet si pasojë e Covid-19 kanë luajtur një rol të rëndësishëm.
Prandaj chatbot-et e AI ndihmojnë për të mbushur boshllëkun, thotë ai.
Nan theksoi, megjithatë, se njerëzit me probleme serioze të shëndetit mendor nuk duhet të mbështeten në këto aplikacione.
“Ata që kanë nevoja mjekësore, në veçanti, duhet të kërkojnë ndihmë nga profesionistë të trajnuar... Përdorimi i AI nga ta do të duhej të shqyrtohej shumë nga afër”, thotë ajo.
Censura dhe siguria
Por mes gjithë lavdërimet, “Deepseek” ka ngritur gjithashtu shqetësime.
Për shkak të perceptimit të pushtetit që qeveria e Kinës zotëron edhe në kompanitë private, ekziston frika se Partia Komuniste mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve të huaj.
Koreja e Jugut ka bllokuar qasjen në këtë aplikacion për qëllime ushtarake, ndërsa Tajvani dhe Australia e kanë ndaluar kyçjen në të nga të gjitha pajisjet kompjuterike qeveritare.
Rregullatori i Italisë, i cili ndaloi shkurtimisht ChatGPT në vitin 2023, ka bërë të njëjtën gjë me “DeepSeek”, të cilit i është kërkuar të adresojë shqetësimet mbi politikat e privatësisë.
Në SHBA dy ligjvënës po kërkojnë që të ndalohet kyçja në aplikacionin kinez nga të gjitha pajisjet qeveritare.
Është e zakonshme që kompanitë e mediave sociale në vend të heqin përmbajtje që perceptohet të jetë kërcënuese për “stabilitetin social” ose tepër kritike ndaj Partisë Komuniste.
Siç është rasti edhe me aplikacionet e tjera të njohura dhe kompanitë e mediave sociale si Weibo ose WeChat, temat e ndjeshme politike janë të ndaluara në “DeepSeek”.
Kur BBC-ja pyeti “DeepSeek” nëse Tajvani ishte një komb sovran, aplikacioni fillimisht ofroi një përgjigje gjithëpërfshirëse, duke pranuar se kjo ishte një “çështje komplekse dhe e ndjeshme politikisht”.
Pastaj i fshiu të gjitha këto dhe deklaroi: “Më falni, kjo është përtej fushëveprimit tim aktual. Le të flasim për diçka tjetër”.
Kur u pyet për masakrën e Sheshit Tiananmen të vitit 1989, kur protestat pro-demokracisë u shtypën dhe 200 civilë u vranë nga ushtria, “DeepSeek” kërkoi përsëri falje, duke thënë se tema ishte “përtej fushëveprimit të saj aktual”.
Disa nga përdoruesit e “DeepSeek” me të cilët BBC-ja ishte fillimisht në kontakt, nuk u përgjigjën kur u pyetën nëse censurimi ishte shkak për shqetësim.
Por shumica e atyre që iu përgjigjën BBC-së thanë se nuk kishin interes t’i bënin chatbot-it pyetje të vështira që lidhen me politikën.
“Nuk më interesojnë vërtet temat politike... As nuk do t’ia bëj këto pyetje sepse të dhënat e mia identifikuese janë të lidhura me aplikacionin”, thotë Yang, konsulent kinez i teknologjisë i cili jeton në Londër.
Holly e pranon që sistemet e Inteligjencës Artificiale në vende të ndryshme mund të duhet të funksionojnë ndryshe.
“Krijuesit e aplikacioneve, bazuar në vendin e tyre, duhet të vendosin disa kufij dhe politika për përmbajtjen dhe fushëveprimin e AI. Aplikacionet e krijuara në SHBA do të kenë grupin e tyre të rregullave”, thotë ajo.
Një tjetër përdorues i “DeepSeek” shkruan për aplikacionin: “Procesi i tij i të menduarit është i bukur... Është një bekim absolut për njerëzit si unë. Sinqerisht, nuk më intereson shkelja e privatësisë”.