Botë

Të paktën pesë të vrarë nga sulmet masive ruse në të gjithë Ukrainën

Ilustrim

Ilustrim

Foto: Associated Press

Të paktën pesë persona janë vrarë si pasojë e një breshërie sulmesh me dronë dhe raketa nga forcat ruse, në të gjithë Ukrainën të hënën.

Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në të gjithë vendin si pasojë e sulmeve.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal ka thënë se forcat ruse gjuajtën dronë, raketa lundrimi dhe raketa balistike hipersonike Kinzhal në 15 rajone të Ukrainës, që i bie të jetë më shumë se gjysma e vendit.

Ai u ka bërë thirrje aleatëve të Ukrainës që t'i sigurojnë Kievit armë me rreze të gjatë dhe leje për t'i përdorur ato në objektiva brenda Rusisë.

“Për të ndaluar granatimet barbare të qyteteve të Ukrainës, është e nevojshme të shkatërrohet vendi nga i cili lëshohen raketat ruse. Ne llogarisim në mbështetjen e aleatëve tanë dhe patjetër do ta bëjmë Rusinë të paguajë”, ka thënë Shmyhal.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, kishte grupe të shumta të dronëve rusë që lëviznin drejt rajoneve lindore, veriore, jugore dhe qendrore të Ukrainës, të ndjekur nga raketa të shumta lundrimi dhe balistike.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në kryeqytetin Kiev. Furnizimi me energji dhe ujë në qytet është ndërprerë nga sulmet, sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

Ndërprerje dhe dëmtime në infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit u raportuan në të gjithë vendin, nga rajoni i Sumy në lindje, në rajonet Mykolaiv dhe Odesa në jug, në rajonin e Rivne në perëndim.

Në Sumy, një provincë në lindje që kufizohet me Rusinë, administrata lokale bëri të ditur se 194 vendbanime kanë pësuar ndërprerje të plotë të energjisë, ndërsa 19 të tjera patën një ndërprerje të pjesshme.

Në Poloninë fqinje, ushtria bëri të ditur se mbrojtja ajrore polake dhe e NATO-s u aktivizuan në pjesën lindore të vendit si rezultat i sulmeve.

Në Rusi, ndërkohë, zyrtarët raportuan një sulm me dron ukrainas gjatë natës dhe të hënën në mëngjes.

Katër persona u plagosën në rajonin qendror të Rusisë, Saratov, ku dronët goditën ndërtesat e banimit në dy qytete.