Zyrtarë izraelitë kanë thënë se forcat izraelite kishin në shënjestër komandantin ushtarak në hije të Hamasit në një sulm masiv të shtunën në Rripin jugor të Gazës, i cili la të vdekur të paktën 90 njerëz, përfshirë fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se "ende nuk ka siguri absolute" se Mohammed Deif dhe një komandant i dytë i Hamasit, Rafa Salama, janë vrarë, raporton AP.
Hamasi hodhi poshtë pretendimin se Deif ishte në zonë, duke thënë se "këto pretendime të rreme janë thjesht një mbulim për shkallën e masakrës së tmerrshme".
Sulmi u zhvillua në një zonë që ushtria izraelite e kishte caktuar si të sigurt për qindra mijëra palestinezë.
Deif dhe zyrtari më i lartë i Hamasit në Gaza, Yahya Sinëar, besohet nga Izraeli se janë arkitektët kryesorë të sulmit të 7 tetorit që vrau rreth 1200 njerëz në Izraelin jugor dhe shkaktoi luftën Izrael-Hamas. I paparë në publik për vite me radhë, Deif ka kryesuar prej kohësh listën e më të kërkuarve të Izraelit dhe besohet se u ka shpëtuar tentativave të shumta izraelite për vrasje. Më 7 tetor, Hamasi lëshoi një regjistrim të rrallë zanor të Deifit duke njoftuar operacionin "Përmbytja e Al Aksa".
Sulmi erdhi në një kohë delikate në përpjekjet për armëpushim. Vdekja e Deifit do t'i jepte Izraelit një fitore të madhe dhe Hamasit një goditje të dhimbshme psikologjike.
Përsëri të shtunën, kryeministri ka thënë se Izraeli nuk do ta përfundojë luftën derisa aftësitë ushtarake të Hamasit të shkatërrohen. Vdekja e Deif do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.