Të paktën 66 persona raportohet të jenë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite të mërkurën gjatë natës, në veri të Gazës.
Mjekët dhe mediat e lidhura me Hamasin kanë thënë se në mesin e të vrarëve ka gra dhe fëmijë. Sipas tyre, disa shtëpi që strehonin njerëz të zhvendosur u goditën pranë spitalit Kamal Adwan në qytetin Beit Lahia, raporton BBC.
Një video e pa verifikuar tregonte më shumë se 20 trupa të rreshtuar në një rrugë.
22 persona të tjerë u vranë në një sulm në një shtëpi në lagjen veriore Sheikh Radwan të qytetit të Gazës, sipas agjencisë së Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi.
Izraeli ka intensifikuar ofensivën e tij në veri të Gazës, duke thënë se po e ndalon Hamasin të rigrupohet.
Sulmet vdekjeprurëse izraelite u raportuan edhe diku tjetër në Gaza të enjten në mëngjes. Një spital në qytetin jugor të Khan Younis ka bërë të ditur se kishte marrë trupat e 24 personave të vrarë në aksionin ushtarak izraelit atje dhe në Rafah.
Disa pjesë të Gazës veriore janë nën rrethimin e Izraelit dhe praktikisht asnjë ndihmë humanitare nuk është dorëzuar në 40 ditë, ka paralajmëruar OKB-ja të martën.