Sulmet ajrore izraelite në të gjithë Gazën kanë lënë të vdekur të paktën 50 palestinezë në 24 orët e fundit, kanë bërë të ditur autoritetet palestineze shëndetësore të mërkurën.
Ndërsa përpjekje për të ndalur luftën 10-mujore midis Izraelit dhe Hamasit po vazhdojnë, ushtria izraelite ka bërë të ditur se avionët goditën rreth 30 objektiva në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë tunele dhe një post vëzhgimi, raporton Reuters.
Ushtria lëshoi urdhra të ri evakuimi në zonën e mbipopulluar të Deir Al-Balah, në Gazën qendrore, ku qindra mijëra palestinezë të zhvendosur nga luftimet kanë kërkuar strehim.
Konflikti u ndez pasi sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken përfundoi vizitën e tij të nëntë në Lindjen e Mesme, pa asnjë shenjë të qartë nëse një marrëveshje për t'i dhënë fund luftimeve është në horizont.
Lufta në Gaza filloi më 7 tetor të vitit të kaluar kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan komunitetet dhe bazat ushtarake izraelite, duke vrarë rreth 1,200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.
Zyrtarët palestinezë dhe të Kombeve të Bashkuara thonë se shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh janë zhvendosur brenda vendit nga ofensiva dhe bombardimet e vazhdueshme ushtarake të Izraelit, që kanë rrafshuar gjithashtu një pjesë të zonave të ndërtuara në të gjithë enklavën.