Ministria e Shëndetësisë së Libanit ka përditësuar shifrat e të vrarëve si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në jug të Libanit të hënën. 492 persona kanë humbur, përfshirë 35 fëmijë dhe 58 gra, ka njoftuar Ministria, raporton “BBC”.
Ndërkohë është shtuar se të paktën 1645 janë lënduar.
Izraeli ka thënë se ka goditur 1300 shënjestra të grupit militant Hezbollah në 24 orët e fundit.
Shkon në 356 numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Liban
(Përditësuar në 21:10) - Ministria e Shëndetësisë së Libanit ka thënë se 356 persona janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në qytetet dhe fshatrat në jug të Libanit të hënën, raporton “BBC”.
Në mesin e të vdekurve raportohen 24 fëmijë dhe 42 gra, ndërsa po ashtu raportohet për 1246 të lënduar.
Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firass Abiad, ka thënë se dhjetëra mijëra persona po ikin nga jugu i Libanit.
“Është e qartë se qëllimi i Qeverisë së Izraelit është të përshkallëzojë dhe provokojë. Jemi në një fazë të re të luftës”, ka thënë Abiad.
E Ushtria e Izraelit ka thënë se po përgatitet për fazën e ardhshme të operacionit në Liban.
Ministri i Brendshëm i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë se sulmet ajrore izraelite të hënën kanë shkatërruar dhjetëra mijëra raketa të Hezbollahut në jug të Libanit dhe në Luginën Bekaa në lindje.
Shkon në 274 numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Liban
(E përditësuar në 17:00) - Autoritetet libaneze kanë njoftuar së të paktën 274 persona janë vrarë, 21 prej tyre fëmijë, nga sulmet izraelite të së hënës në Liban, raporton “BBC”.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka thënë se afro 1024 tjera janë lënduar. Bombardimet izraelite po vazhdojnë në jug të Libanit, përfshirë në qytetin bregdetar Tyre.
Mijëra banorë janë parë duke ikur nga zonat që po bombardohen.
Ushtria e Izraelit ka thënë se ka sulmuar 800 objektiva të Hezbollahut në jug të Libanit dhe në rajonin Bekaa.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendi i tij ka “ditë të komplikuara” para vetes.
Ai ka folur pas një takimi në një bazë ushtarake në Tel Aviv. Ai ka thënë se ka premtuar se do ta ndryshojë balancin e sigurisë në veri dhe se këtë po e bën.
Të paktën 100 të vrarë dhe 400 të plagosur në Liban nga sulmet ajrore izraelite
(E përditësuar në 14:00) - Të paktën 100 njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Liban, sipas përditësimit të ri nga Ministria e Shëndetësisë së vendit. Sipas Ministrisë më shumë se 400 persona janë plagosur.
Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka lëshuar një deklaratë herët në mëngjesin e së hënës, duke kërkuar që të gjitha spitalet në jug të vendit t’i anulojnë operacionet kirurgjike që nuk janë urgjente.
Klinikëve u është thënë të përgatiten për të plagosurit që mund të mbërrijnë në departamentet e urgjencës.
Shkollat gjithashtu janë mbyllur në jug të vendit dhe në periferitë jugore të Bejrutit për sot dhe nesër, sipas ministrisë së arsimit.
Të paktën 50 të vrarë dhe 300 të plagosur në Liban nga sulmet ajrore izraelite
Ministria e Shëndetësisë së Libanit ka thënë se 50 njerëz janë vrarë në sulmet në fshatrat dhe qytetet e Libanit jugor që nga mëngjesi, të hënën.
Në deklaratën e lëshuar nga Qendra Operative Emergjente e Shëndetit Publik, është thënë se më shumë se 300 njerëz janë lënduar, duke përfshirë “fëmijë, gra dhe mjekë të emergjencës”, raporton AP.
Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur 300 shënjestra të hënën në Liban në një nga breshëritë më intensive të sulmeve ajrore në gati një vit të luftimeve me grupin militant Hezbollah.
Shefi i ushtrisë izraelite Herzi Halevi dhe liderë të tjerë izraelitë kanë paralajmëruar se do ndërmarrin veprime më të ashpra kundër Hezbollahut gjatë ditëve të ardhshme. Teksa ushtria ka qenë duke i kryer sulmet, autoritetet izraelite kanë raportuar një seri me sirena të sulmeve ajrore në veri të Izraelit që paralajmëronin për raketa të lëshuara nga Libani.
Më herët të hënën, Izraeli i ka lajmëruar banorët e Libanit jugor për të evakuuar nga shtëpitë dhe ndërtesat e tjera, ku ka pretenduar se Hezbollahu mban armë, duke thënë se ushtria do të mbajë “sulme intensive” kundër grupit militant.
Nuk kishte asnjë shenjë të një eksodi të menjëhershëm nga fshatrat e Libanit jugor dhe paralajmërimi la të hapur mundësinë se disa banorë mund të jetojnë në ose pranë strukturave të synuara pa e ditur se janë afër rrezikut.