Botë

Të paktën 35 të vdekur, pasi makina goditi një turmë njerëzish në Kinë

Policia kineze ne vendin e ngjarjes ne Zhuhai

Foto: BBC

Të paktën 35 persona kanë humbur jetën dhe 43 të tjerë janë lënduar pasi një burrë ka goditur me makinë një turmë njerëzish që po ushtronin në një shteg sportiv në Zhuhai, në Kinën jugore të hënën, thanë autoritetet në Pekin, raporton “BBC”. 

Mes të lënduarve ka shumë të moshuar, adoleshentë dhe fëmijë, raportuan mediat kineze. Policia ka bërë të ditur se shoferi u arrestua teksa tentoi të arratisej, dhe se ndodhet në koma nga plagët që ia shkaktoi vetes. Shumica e videove të momentit dramatik, të shpërndara nga dëshmitarët, ishin fshirë nga mediat sociale kineze deri të martën në mëngjes, mirëpo disa nga ato që kanë mbetur shfaqin dhjetëra njerëz të shtrirë në tokë.

Presidenti kinez, Xi Jinping ka bërë thirrje për përpjekje të gjithanshme për t’i trajtuar të plagosurit dhe ka theksuar se autori i sulmit do të dënohet rëndë. Policia ka thënë se hetimet fillestare sugjerojnë se sulmi është kryer për shkak të pakënaqësive të sulmuesit me rezultatin e zgjidhjes së çështjes së divorcit.