Botë

Të paktën 22 të vdekur nga sulmet izraelite në Gazë, vazhdojnë përpjekjet për armëpushim

Sulmet ne Gaza

Foto: Arkiv

Sulmet ushtarake izraelite në të gjithë territorin e  Gazës lanë të vdekur të paktën 22 persona të mërkurën, thanë mjekët palestinezë, teksa SHBA-ja vazhdon përpjekjet për t’i kapërcyer pengesat midis Izraelit dhe Hamasit për të arritur një armëpushim, raporton agjencia “Reuters”.

Një nga sulmet ajrore vrau të paktën 10 njerëz në një ndërtesë shumëkatëshe në lagjen Sheikh Radwan të qytetit të Gazës të mërkurën, ndërsa një tjetër vrau pesë në periferinë Zeitoun, thanë mjekët.

Në qytetin Deir Al-Balah në Gazën qendrore, ku janë strehuar qindra mijëra palestinezë, një sulm ajror izraelit vrau tre persona të tjerë.

Në Jabalia, ku ushtria ka operuar për më shumë se tri javë, një sulm ajror izraelit vrau katër persona, njoftuan autoritetet shëndetësore palestineze.

Një ditë më parë, sulmet ushtarake izraelite vranë të paktën 24 palestinezë në të gjithë Rripin e Gazës. Ndër të vdekurit ishin disa gra dhe fëmijë.

Nuk kishte asnjë koment nga Ushtria izraelite për ato incidente.

Gjersa Izraeli vazhdon bombardimet e tij, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti po bëjnë përpjekjet më intensive për të arritur një armëpushim, me një burim pranë bisedimeve që tha se kjo ishte përpjekja më serioze për të arritur një marrëveshje deri më tani.

Administrata në largim e SHBA-së ka bërë thirrje për një përpjekje përfundimtare për një marrëveshje përpara se presidenti Joe Biden të largohet nga detyra. 

“Gjërat janë më mirë se kurrë më parë, por ende nuk ka marrëveshje”, tha burimi për Reuters.

Por me kohën që ecën, të dyja palët akuzojnë tjetrën për bllokimin e një marrëveshjeje.

Të martën, Hamasi përsëriti kërkesën e tij sipas së cilës  do t’i lirojë pengjet  nëse Izraeli pranon t'i japë fund luftës dhe t’i tërheqë të gjitha trupat e tij nga Gaza. Izraeli thotë se nuk do t'i japë fund luftës derisa Hamasi të shpërbëhet dhe të gjitha pengjet të jenë të lira.

Gati 46 mijë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gazë, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës. Lufta filloi pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan territorin izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke kapur më shumë se 250 pengje.