Botë

Të paktën 120 palestinezë të vdekur nga sulmet izraelite gjatë 48 orëve

Gaza

Sulmet ushtarake izraelite në të gjithë Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 120 palestinezë gjatë 48 orëve të fundit dhe kanë goditur një spital në skajin verior të enklavës, duke shkaktuar lëndime edhe te stafi mjekësor dhe duke dëmtuar pajisje, thanë mjekët palestinezë të shtunën.

Ndër të vdekurit ishin shtatë anëtarë të një familjeje, shtëpia e së cilës u godit gjatë natës në periferi të Zeitoun të qytetit të Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë. Pjesa tjetër u vra në sulme izraelite në Gaza qendrore dhe jugore.

Në të njëjtën kohë, forcat izraelite thelluan bombardimin në skajin verior të enklavës, ofensiva kryesore që nga fillimi i muajit të kaluar.

Ushtria izraelite pretendon se synon të parandalojë luftëtarët e Hamasit që të kryejnë sulme dhe të rigrupohen në zonë, raporton Reuters.

Në Spitalin Kamal Adwan, një nga tre objektet mjekësore në skajin verior të Gazës që mezi funksionon, drejtori Hussam Abu Safiya ka thënë se bombardimi i vazhdueshëm izraelit dukej se synonte të detyronte stafin e spitalit të evakuohej - diçka që e kanë refuzuar që nga fillimi i pushtimit.

“Të premten nga pasditja deri në mesnatë, bombardimet kishin shënjestruar drejtpërdrejt hyrjen në zonën e urgjencës dhe pritjes disa herë”, ka thënë ai në një deklaratë, duke shtuar se 12 anëtarë të stafit, përfshirë mjekë dhe infermierë u plagosën.

Sulmi shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme që prishën gjeneratorin elektrik, rrjetin e furnizimit me oksigjen dhe furnizimin me ujë, shtoi ai.

E pyetur për të komentuar deklaratën e Abu Safiyas, ushtria izraelite theksoi se pas një shqyrtimi fillestar nuk ishte në dijeni të një sulmi në zonën e spitalit Kamal Adwan.

Izraeli pretendon se Hamasi përdor spitalet dhe civilët si mburoja njerëzore dhe ka bërë publike video dhe foto për të mbështetur këtë pretendim. Hamasi i hedh poshtë akuzat dhe thotë se nuk përdor popullsinë civile apo objektet për qëllime ushtarake.

Fushata 13-mujore e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 44 mijë njerëz dhe ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e enklavës.