Të paktën 100 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë në Ukrainë që nga hyrja në luftime në anën ruse në fillim të këtij muaji, ka thënë një deputet i Koresë së Jugut.
Duke folur para gazetarëve pasi Parlamenti u informua nga Shërbimi Informativ Kombëtar i vendit, ligjvënësi Lee Sung-kwon, ka thënë se 1000 të tjerë janë plagosur, raporton BBC.
Raportet e para për viktimat e Koresë së Veriut janë publikuar në fillim të kësaj jave. Ndërkaq lajmi se Koreja e Veriu kishte dërguar 10,000 trupa për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Rusisë, është bërë i ditur në muajin tetor.
Të hënën një zëdhënës i Pentagonit ka thënë se shumë koreano-veriorë janë vrarë, pa dhënë një numër, dhe një ditë më vonë një zyrtar amerikan i paidentifikuar ka thënë se bëhej fjalë për "disa qindra" të vrarë ose të plagosur.
Trupat e Koresë së Veriut, asnjë prej të cilëve nuk besohet të ketë ndonjë përvojë të mëparshme luftarake, është raportuar se i kanë kaluar javët e para në Rusi në stërvitje dhe më pas në role mbështetëse.
Vrasja e tyre mendohet se kanë ndodhur në rajonin Kursk të Rusisë, ku ukrainasit po mbrojnë një zonë të vogël territori të kapur gjatë një inkursioni të befasishëm në gusht.
Të shtunën e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia ka filluar të përdorë një "numër të konsiderueshëm" koreano-veriorë në sulmet e saj në Kursk.