Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe dhjetëra rezultojnë të zhdukur pas dy mbytjeve të veçanta të anijeve pranë brigjeve italiane, thanë ekipet e shpëtimit.
Dhjetë trupa u gjetën të hënën në kuvertën e poshtme të një varke druri në Mesdheun qendror nga shpëtuesit nga Nadir, një anije e operuar nga organizata bamirëse gjermane ResQship, raporton The Guardian.
Organizata bamirëse ka thënë se shpëtoi 51 persona që ishin në bordin e anijes që po fundosej, e cila besohet se ishte nisur nga Tunizia.
Mbytja e anijes ndodhi disa kilometra në jug të ishullit italian të Lampedusa, raportoi Rai News i Italisë.
Rreth 50 persona u raportuan të zhdukur pasditen e së hënës në një anije të mbytur në detin Jon.
Dymbëdhjetë persona, përfshirë një grua shtatzënë, u shpëtuan nga një anije tregtare dhe u dërguan në portin Roccella Ionica. Ata kishin qenë duke udhëtuar me një varkë me vela që ishte nisur nga Turqia ditët e fundit, sipas raportimeve në shtypin italian. Në bord kishte njerëz me kombësi iraniane, irakiane dhe siriane.
Gjatë natës të së dielës, 173 persona mbërritën me tri varka në Lampedusa, duke përfshirë tre të mitur.
Anijet ishin larguar nga Zawia në Libi dhe po transportonin njerëz nga Bangladeshi, Sudani, Siria dhe Egjipti.
Në fillim të këtij muaji, 11 trupa u gjetën nga deti në brigjet e Libisë.
Italia është një nga pikat kryesore të zbritjes për njerëzit që përpiqen të arrijnë Evropën, me rrugën qendrore të Mesdheut që konsiderohet si një nga më të rrezikshmet në botë. OKB-ja ka regjistruar më shumë se 20,000 vdekje dhe zhdukje përgjatë rrugës që nga viti 2014.