Botë

Të ndëshkuar nga Kievi si kolaboracionistë

"Kolaboracionistët"

“Unë nuk doja të bashkëpunoja me ta vullnetarisht. U shpjegova se personat me aftësi të kufizuara nuk mund të kenë qasje në ilaçet që u duhen. Dikush më incizoi dhe e postoi online dhe prokurorët ukrainas e përdorën për të pretenduar se jam duke punuar për rusët”, ka shpjeguar Tetyana.

“Nuk e meritoj të jem këtu”. Këto janë fjalë që prisni t’i dëgjoni nga çdo person i burgosur. 

Por, Tetyana Potapenko është e bindur se nuk është ashtu siç pretendon shteti i Ukrainës. 

Ajo ka vuajtur një vit nga dënimi prej pesë vjetëve burgim. Është dënuar bashkë me 62 të tjerë me burgim si kolaboracionistë. Mbahet e izoluar nga të burgosurit e tjerë. 

Burgu është afër Dnipros, rreth 300 kilometra nga shtëpia e Tetyanas në Lyman. 

Afër vijave të frontit në Donbas, Lymani ishte i okupuar për gjashtë muaj nga forcat ruse dhe u çlirua në vitin 2022. 

Ndërsa ulemi në dhomën me mure rozë, nga ku të burgosurit mund të telefonojnë në shtëpi, Tetyana shpjegon se si kishte qenë vullnetare në lagje për 15 vjet, duke punuar me zyrtarët lokalë, por tha se kryerja e këtyre detyrave pasi morën rusët nën kontroll qytetin i kushtoi shtrenjtë.

Prokurorët ukrainas pretenduan se ajo në mënyrë ilegale kishte marrë një rol zyrtar me pushtuesit, që përfshinte shpërndarjen e furnizimeve me ndihma. 

“Dimri kishte mbaruar, njerëzit ishin pa ushqim, dikush duhej t’i mbronte. Nuk mund t’i lija ata të moshuar. Unë jam rritur mes tyre”, tregon Tetyana. 

54-vjeçarja është një nga afro 2000 të dënuar për bashkëpunim me rusët, sipas ligjit ukrainas. 

Kievi e dinte se duhej t’i ndalonte njerëzit që të simpatizonin ose bashkëpunonin me pushtuesit. 

Dhe, në më pak se një javë pas pushtimit, deputetët kaluan një amendamentim në Kodin Penal, duke e bërë kolaboracionizmin një shkelje penale, një gjë për të cilën nuk kishin mundur të pajtoheshin që nga viti 2014, kur Rusia kishte aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë. 

Para pushtimit të shkallës së plotë nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Tetyana bashkëpunonte me zyrtarët lokalë për t’i ndihmuar fqinjët me materiale, si dru gjatë dimrit. 

Me t’u pushtuar qyteti Lyman nga rusët, ajo thotë se u bind nga një mik për të bashkëpunuar me ta dhe të sigurojë ilaçet aq të nevojshme. 

“Unë nuk doja të bashkëpunoja me ta vullnetarisht. U shpjegova se personat me aftësi të kufizuara nuk mund të kenë qasje në ilaçet që u duhen. Dikush më incizoi dhe e postoi online dhe prokurorët ukrainas e përdorën për të pretenduar se jam duke punuar për rusët”, ka shpjeguar Tetyana. 

Pasi Lyman u çlirua, në gjykatë u shfaqën dokumentet që pretendohet se Tetyana kishte nënshkruar e me të cilat thuhet se dëshmohet që ajo kishte pasur rol zyrtar tek autoritetet okupuese. 

“Cili është krimi im këtu? Luftimi për njerëzit e mi? Kurrë nuk kam punuar për rusët. Mbijetova dhe tash e gjej veten në burg”, thotë Tetyana. 

“Duhet marrë në konsideratë realiteti i jetës nën okupim”

Ligji i vitit 2022 ishte bërë për t’i parandaluar njerëzit që të ndihmojnë avancimin e ushtrisë ruse, shpjegon Onysiya Syniuk, një eksperte ligjore në qendrën për të drejtat e njeriut “Zmina” në Kiev. 

“Mirëpo, legjislacioni përfshin të gjitha llojet e aktivitetit, përfshirë edhe ato që nuk dëmtojnë sigurinë kombëtare”, thotë ajo. 

Si shkelje përfshihen nga mohimi se pushtimi rus është ilegal, te përkrahja madje edhe online, apo edhe marrja e një roli zyrtar politik apo ushtarak tek okupuesit. 

Ndëshkimet janë mjaft të rënda. Dënimi me burgim mund të jetë deri 15 vjet. 

Nga afro 9000 raste deri më tash, Syniuk dhe ekipi i saj kanë analizuar shumicën e dënimeve, përfshirë te Tetyanas, dhe thotë se është e shqetësuar se legjislacioni prek tepër. 

“Tash njerëzit që ofrojnë shërbime jetike në territoret e okupuara po ashtu do të bien ndesh me këtë ligj”, thotë Syniuk. 

Ajo mendon se deputetët duhet të marrin në konsideratë realitetin e jetesës dhe punës nën okupim për më tepër se dy vjet. 

Në shtëpinë e Tetyanas në Lyman gjendet bashkëshorti i saj i dobët fizikisht dhe i biri me aftësi të kufizuara. Duke iu afruar Lymanit vëren qartazi shenjat e luftës. 

Jeta civile mbaron dhe automjetet gradualisht marrin ngjyrën e gjelbër ushtarake. Shtylla të shembura dhe hekurudha të “gëlltitura” nga bari ke gjithandej. 

Ndërsa fushat e lulediellit janë të padëmtuara, qyteti është dëmtuar rëndë. Është goditur nga sulmet ajrore dhe luftimet. 

Rusët tash janë kthyer dhe janë afro 10 kilometra larg. Në qytet të njoftojnë rregullisht se bombardimet fillojnë çdo ditë rreth orës 15:30. 

Burri i Tetyanas, Volodymyr Andreyev, 73-vjeçar, tregon se është “në një vrimë” – se shtëpia po i shpërbëhet pa gruan  dhe se ai dhe djali i tij po mund t’ia dalin vetëm falë ndihmës së fqinjëve. 

“Po të isha i dobët do të shpërtheja në lot”, thotë ai. 

Ai e ka të vështirë të kuptojë arsyen pse bashkëshortja e tij nuk është me të. 

Tetyana mund të dënohej më pak po ta pranonte fajësinë, por ajo refuzoi ta bënte këtë. 

“Kurrë s’do ta pranoj se jam armike e shtetit”, thotë ajo. 

Pasojat e vërteta të kolaboracionistëve

Por, ka pasur armiq të shtetit – dhe veprimet e tyre kanë pasur pasoja fatale.

Vjeshtën e kaluar, në fshatin Hroza në rajonin Kharkiv në lindje të Ukrainës, një raketë ruse kishte goditur një kafene ku po bëheshin përgatitjet për varrimin e një ushtari ukrainas. 

Ishte e pamundur të mbahej shërbimi mortor derisa Hroza ishte nën okupimin rus. 

59 persona – gati gjysma e popullatës së Hrozas -  u vranë. Nëpër shtëpi gjeje fëmijë të vetëm, prindërit e tyre s’po ktheheshin. 

Shërbimi i sigurisë më vonë zbuloi se dy burra vendas, Volodymyr dhe Dmytro Mamon, u dhanë informacione rusëve. 

Dy vëllezërit ishin ish-policë që kishin nisur të punonin për forcat okupuese. 

Kur fshati u çlirua ata ikën në Rusi me forcat ruse, por qëndruan në kontakt me fqinjët e tyre të vjetër, të cilët pa dashje i treguan për varrimin.

Vëllezërit që nga atëherë janë akuzuar për tradhti të lartë, por ka pak gjasa të burgosen në Ukrainë. 

Kjo në pika të gjëra është storia e betejës së Kievit me kolaboracionistët. Ata që kryejnë krime më të rënda – si të drejtojnë sulme, të japin informata ushtarake apo të organizojnë referendume të rrejshme për të legjitimuar forcat okupuese – dënohen kryesisht në mungesë. 

Ata që përballen me krime më pak serioze shpesh e pësojnë me burgim. 

Sipas Konventës së Gjenevës, forcat pushtuese ruse duhet të lejojnë dhe të sigurojnë mjetet që njerëzit të  vazhdojnë të jetojnë jetën e tyre. 

Ashtu siç thotë Tetyana Potapenko se tentoi ta bënte, kur trupat ruse u futën në Lyman në maj të vitit 2022. 

Rasti i saj është një prej disa që janë zbuluar nga “BBC” në lindje të Ukrainës. 

Në mesin e rasteve është një drejtor shkolle i burgosur pasi pranoi kurrikulën ruse – mbrojtja e tij, thotë se ai ndonëse pranoi materialet ruse nuk i përdori ato. 

Dhe në rajonin e Kharkivit, një menaxher i një stadiumi futbolli po përballet me 12 vjet burgim pasi vazhdoi të organizonte ndeshjen futbolli ndërsa qyteti ishte nën okupim. Avokatët e tij thonë se ai organizoi dy ndeshje miqësore mes skuadrave lokale. 

Në sytë e Kombeve të Bashkuara, këto dënime për bashkëpunim me forcat okupuese janë ndesh me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Një e treta e dënimeve që janë dhënë nga Ukraina që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022 deri në fund të vitit 2023, kanë mungesë të bazës ligjore, thotë OKB-ja. 

“Krime janë kryer në territoret e okupuara dhe njerëzit duhet të mbahen përgjegjës për dëmet që ia kanë bërë Ukrainës – por, kemi parë edhe që ligji është aplikuar në mënyrë të padrejtë”, ka thënë Danielle Bell, që është në krye të Misionit Monitorues të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë.  

Ajo thotë se ligji nuk i merr parasysh motivet e dikujt, si nëse janë në mënyrë aktive kolaboracionistë,  apo po tentojnë të sigurojnë të hyra, që kanë të drejtë të bëjnë. 

“Ka shembuj të panumërt ku njerëzit kanë vepruar nën presion dhe kanë kryer funksione thjesht për të mbijetuar”, thotë Bell. 

Kështu është rasti me Dmytro Herasymenkon, që është nga Lymani, qyteti nga është edhe Tetyana. 

Në tetor të vitit 2022, ai doli nga bodrumi i tij pasi sulmet pushuan. Vija e fronti kaloi nëpërmjet Lymanit dhe ishte nën okupim rus. 

“Në atë kohë njerëzit po jetonin pa energji elektrike për dy muaj”, rikujton ai. 

Dmytro kishte punuar si elektricist në qytet për dhjetë vjet. 

Autoritetet okupuese kërkuan për vullnetarë që t’i ndihmojnë ta rikthejnë energjinë elektrike dhe ai e ngrehu dorën. 

“Njerëzit duhej të mbijetonin. Isha i frikësuar t’i refuzoja ata. Druhesha se do të përndiqesha”, tregon ai. 

Për Dmytron dhe Tetyanan, gëzimi i çlirimit ishte i shkurtër. Pasi Ukraina mori nën kontroll qytetin e Lymanit, zyrtarët e shërbimit të sigurisë së Ukrainës – SBU – i morën në pyetje. 

Pasi pranoi se ka ndihmuar okupuesit rusë ta rikthejnë energjinë elektrike, Dmytros shpejt iu dha një dënim me burgim me kusht dhe iu ndalua të punonte për shërbimin energjetik të shtetit për 12 vjet. 

Ai tash punon në një garazh si mekanik. 

“Nuk mund të gjykohem në mënyrën e njëjtë si bashkëpunëtorët që ndihmuan të shënjestronin vendin me raketa”, thotë Dmytro. 

Kështu thotë edhe Tetyana. 

“Çfarë mund të ndiesh kur një ushtri e huaj futet në vendin tënd? Natyrisht se frikë”, thotë ajo. 

Planifikimi për amendamentim të ligjit

Një frikë e tillë është e justifikueshme. Kombet e Bashkuara kanë zbuluar dëshmi të forcave ruse duke shënjestruar dhe madje torturuar njerëzit për përkrahje të Ukrainës. 

“Ne kemi raste të njerëzve që janë burgosur, torturuar, zhdukur, të cilët thjesht kanë shprehur pikëpamje pro-Ukrainë”, ka thënë Bell. 

Nga momenti që Moska e pushtoi Krimenë në vitin 2014, definicioni “prorus” ndryshoi në sytë e deputetëve ukrainas – nga thjesht favorizim i marrëdhënieve më të ngushta mes vendeve, te përkrahja e një pushtimi rus që është parë si gjenocidal.

Po atë vit satelitët prorusë – të financuar nga Kremlini – po ashtu pushtuan një të tretën e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut. 

Janë shpesh të moshuarit që zgjedhin apo janë të detyruar të jetojnë nën okupim. Disa mund të jenë tepër të brishtë që të largohen. 

Po ashtu mund të ketë të atillë që kanë nostalgji për epokën sovjetike apo simpati për Rusinë e kohës moderne. 

Por, nëse Ukraina një ditë ribashkohet, a do t’i godasë ata fuqishëm ligji për bashkëpunim? 

Mesazhi i një prej deputetëve ukrainas është i qartë. 

“Je me ne apo kundër nesh”, thotë ai. 

Andriy Osadchuk është zëvendëskryesues i Komitetit Parlamentar për zbatimin e ligjit. Ai e mohon fuqishëm se legjislacioni është ndesh me Konventën e Gjenevës, por pranon se duhet të bëhen përmirësime. 

“Pasojat janë ekstremisht të vështira, por ky nuk është krim i rregullt. Ne po flasim për jetë a vdekje”, thotë Osadchuk. 

Ai beson se është në fakt e drejta ndërkombëtare që duhet marrë parasysh rrethanat e luftës në Ukrainë e jo anasjelltas. 

“Ne duhet të ndërtojmë Ukrainën në territorin e çliruar e jo të bëjmë dikë nga bota e jashtme të lumtur”, thotë ai. 

Misioni monitorues i OKB-së pranon se ka parë disa përmirësime. Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës së fundi ka udhëzuar zyrën e tij  që të veprojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare ndërsa heton rastet e kolaboracionistëve. 

Parlamenti i Ukrainës pritet të bëjë amendamente në ligj në shtator. Një ndryshim do të bëjë që disa njerëzve t’u zëvendësohet me gjobë dënimi me burg. 

Për tash, Kievi i sheh njerëzit si Tetyana dhe Dmytro se kanë marrë dënime meritore. 

E Tetyana e Dmytro thonë se pendesa e vetme e tyre është se nuk ikën kur nisi pushtimi rus.