Botë

Të miturit në “OnlyFans” të joshur nga paratë e të keqpërdorur nga të rriturit

Onlyfans

Babai i një vajze 15-vjeçare, e cila ka krijuar një llogari në “OnlyFans”, ka thënë se nuk e di si ka arritur ajo ta bëjë këtë, dhe ka thënë se kompania duhet t’i mbajë fëmijët larg nga faqja. “Një fëmijë mund të shohë shenjën e dollarit”, ka thënë ai. “Por nuk i kupton rreziqet”

Për disa fëmijë tejkalimi i kontrollit të moshës është porta për një botë tërheqëse.

“OnlyFans” e “prezanton veten si platformë që ofron qasje të pakrahasueshme për influencuesit, të famshmit dhe modelët”, ka thënë Elly Hanson, psikologe klinike dhe studiuese e abuzimit seksual dhe ndikimit të tij. “Kjo është përzierje tërheqëse për shumë adoleshentë, të tërhequr në botën e seksit, të papërgatitur për rezultatet”.

Reuters ka gjetur edhe 17 raste shtesë në të cilat të miturit kanë llogari në “OnlyFans”, por nuk kanë treguar se kanë postuar ndonjë gjë. Në disa raste dosjet e policisë e kanë bërë të qartë se nuk është postuar ndonjë përmbajtje seksuale e fëmijëve; në të tjerat është e pamundur të vlerësohet për shkak të editimeve dhe informacionit të limituar.

Gjithsesi, të pasurit e një llogarie nga një i mitur në “OnlyFans” është thyerje e rregullës së kompanisë.
Në një rast në Florida policia ka gjetur llogarinë e një vajze 15-vjeçare në mars të vitit 2023, pasi bashkëmoshatarët i kanë raportuar autoritetet e shkollës se ajo po promovonte biseda telefonike me studentët e tjerë.

Babai i vajzës i ka thënë policisë se ajo ka pranuar që e ka krijuar llogarinë për “të mashtruar meshkuj” dhe të bëjë para duke postuar foto nudo të grave të marra nga interneti, duke u shtirur sikur janë të saj, sipas raportit të policisë.

Babai ka thënë se nuk e di si ka arritur vajza e tij të krijojë llogarinë në “OnlyFans” dhe ka thënë se kompania duhet t’i mbajë fëmijët larg nga faqja.

“Një fëmijë mund të shoh shenjën e dollarit”, ka thënë ai. “Por nuk i kupton rreziqet”.

“Njerëzit e dashurojnë videon tënde”

Disa fëmijë i krijojnë vetë problemet e tyre.

Në prill të vitit 2021, një djalë 17-vjeçar ka hyrë në Departamentin e Policisë së Bostonit për të raportuar se një trajner vullnetar i futbollit, gati dyfishi i moshës së tij, ka qenë duke shitur një video eksplicite në “OnlyFans”.

Djali ka qenë 15-vjeçar, por e ka listuar veten si 18, kur është takuar me trajnerin, Kharee Louis-Jeune, në një aplikacion takimesh në vitin 2019.

Louis-Jeune, nga Brockton, Massachusetts, e ka bindur adoleshentin për ta lënë të incizojë seksin oral në parkingun e Bostonit, duke insistuar se nuk do ta ndante videon me askënd. Shpejt, djali i ka treguar Louis-Jeune moshën e tij të vërtetë. Por marrëdhënia seksuale ka vazhduar, për të paktën gjashtë muaj.

Në fund të vitit 2019, djali ka zbuluar se videoja ishte postuar në “OnlyFans”. Ai i ka prerë dhe lyer flokët, i frikësuar se dikush do ta njihte, por videoja shpejt ka filluar të shfaqej edhe në shkollën e mesme. Një bashkëmoshatar më ka pyetur “nëse po thithja ndonjë gjë në vetura” ka thënë ai në deklaratën e dhënë para organeve të drejtësisë. “Zemra m’u rëndua dhe ai më tregoi videon”.

Në mars të vitit 2021, djali është takuar për herë të fundit me Louis-Jeune dhe i ka treguar se nuk donte ta prekte. I ka bërë fshehurazi foto të tabelave të veturës, nëse i duhej për raportin policor.
Dy javë më vonë, Louis-Jeune i ka shkruar adoleshentit: “Njerëzit e dashurojnë videon tënde”. Pastaj ia ka dërguar faqen e “OnlyFans”, ku po e shiste videon për 6 dollarë.

Atë ditë djali e ka raportuar në polici. Autoritetet kanë përdorur urdhrin për kërkim për ta marrë videon nga “OnlyFans”. Pjesë e mbishkrimit të filmimit 36 sekondash ishte: "Djali xhamajkan i do burrat e moshuar".

“Pasi mora vesh për videon, nuk mund të dilja jashtë, i frikësuar se dikush ma njihte fytyrën”.

Viktima adoleshente

Në  qershor të vitit 2021, policia e kishte arrestuar Louis-Jeune. Ai në fillim e kishte mohuar se e njihte viktimën ose që kishte llogari në “OnlyFans”. Por policia ia kishte gjetur videon në telefon.

Louis-Jeune, 36-vjeçar, është shpallur fajtor në dhjetor nën akuzat për përdhunim të fëmijës, shpërndarje të materialit të abuzimit seksual të fëmijës dhe posedim të pornografisë me fëmijë. Ai është dënuar me tre deri në pesë vjet burgim.

Viktima e tij, tani i rritur, dëshiron ta vazhdojë jetën. “Dua të përfundoj kjo, që të kem mundësi të bëj sikur nuk ka ndodhur”, ka thënë ai në gjyq.

Biznesi i rrezikshëm

“OnlyFans” është goditur nga akuzat se nuk i mbron sa duhet fëmijët.

Në vitin 2021, BBC-ja ka detajuar disa raste të videove eksplicite në “OnlyFans” që përfshinin adoleshentë. Në përgjigje, kompania mëmë e “OnlyFans”, Fenix, ka thënë se e ka mbyllur llogaritë. Po atë vit, 102 anëtarë republikanë dhe demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së i kanë kërkuar Departamentit të Drejtësisë ta hetonte abuzimin seksual të fëmijëve në “OnlyFans”. 

Raportime të tjera të abuzimit të fëmijëve do ta rrezikonin uebfaqen. “Mastercard”, “Visa” dhe “Discover” kanë thënë se do të ndërmarrin hapa dramatikë kur janë përballur me akuzat se kartat e tyre po paguajnë për pamjet e abuzimit seksual të fëmijëve.

Në vitin 2020, kompanitë e kartave kanë ndërprerë marrëveshjen me “Pornhub”, platformë tjetër +18, pas gjetjes së supozuar të materialeve të abuzimit të fëmijëve dhe përmbajtjeve ilegale. Ka qenë goditje fatale, duke ndaluar pagesat me karta dhe duke e detyruar të mbështetej në reklama dhe zbritje.

“OnlyFans” thotë se nuk shet të dhëna ose nuk lejon reklama. Kjo e lë shumë të varur në “Mastercard”, “Visa” dhe “Discover”, uebfaqja pranon vetëm transaksionet e kryera me to. Kompanitë e kartave kanë thënë se akoma nuk i pranojnë pagesat nga “Pornhub”. 

Të ardhurat e “OnlyFans” gjithashtu varen edhe nga rrjetet e tjera sociale. Funksioni i kërkimit të platformës nuk i lejon përdoruesit të kërkojnë përmbajtje; ata duhet ta dinë emrin e krijuesit. Prandaj përdoruesit e “OnlyFans” shpesh reklamojnë llogarinë në faqe të tjera, për t’i tërhequr abonentët.
Gjysma e 30 ankuesve në polici për shfrytëzim të fëmijëve në “OnlyFans” kanë thënë se “Twitteri”, “Instagrami”, “Snapchati” dhe rrjetet e tjera sociale kanë luajtur rol në promovimin e përmbajtjes.
Platforma “X” ka ndihmuar 25-vjeçarin Wyatt Maxwell të fitojë mijëra dollarë në “OnlyFans” para se hetuesit federalë ta zbulonin se ai ka qenë duke shfrytëzuar një djalë.

Maxwell në mënyrë të përsëritur e ka filmuar veten dhe djalin 16-vjeçar nga Kansasi duke kryer marrëdhënie në shtëpinë e Maxwellit dhe  në parkun lokal në vitin 2020 dhe 2021. Ai ka postuar rreth 20 video në “OnlyFans” dhe një faqe më të vogël “JustFor.Fans”, 15 dollarë në muaj për abonentët.
Për ta promovuar përmbajtjen e tij, Maxwwlli ka përdorur llogaritë e “Twitterit”. Iu shpërblye: Maxwelli i ka thënë një hetuesi federal se ai ka marrë mes 3000 deri në 10.000 dollarë në muaj nga “OnlyFans”. Prokurorët kanë thënë se ai ka fituar më shumë se 49 mijë dollarë nga “OnlyFans”. 

Në prill, Maxwelli është shpallur fajtor për përpjekjen e krijimit të pornografisë me fëmijë. Ai përballet me dënimin minimal prej 15 vjetësh. 

Një zëdhënës i “JustFor.Fans” ka thënë se faqja është informuar për llogarinë e Maxwellit nga FBI-ja në shkurt të vitit 2021 dhe se e ka mbyllur atë menjëherë. “Ne e marrim jashtëzakonisht seriozisht çdo aktivitet që përfshin të miturit”, ka shtuar ai.

Babai i djalit ka thënë se shfrytëzimi seksual ka qenë shumë i dëmshëm për familjen e tij. Kompanitë kanë përfituar nga kjo, ka thënë ai.

“Pak shqetësuese”

Pasi krijuesit krijojnë audiencën, ata mund ta promovojnë dhe ta shesin përmbajtjen përmes bisedave ose mesazheve direkte me abonentët. Këto mesazhe gjithashtu janë të moderuara, sipas shefes ekzekutive Blair.

Megjithatë, në një rast mesazhet e kanë lejuar një burrë të shpërndajë me një tjetër 125 video eksplicite dhe pamje, që përfshinin marrëdhënie seksuale me të paktën 13 fëmijë. Ndarja e dosjeve nuk është zbuluar për të paktën shtatë muaj, së bashku me mesazhet e burrave për to, para se “OnlyFans” ta raportonte rastin në Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC). Në dokumente nuk ka informacione për origjinën e materialeve që kanë ndarë dy burrat.
60-vjeçari Christopher Varney dhe 35-vjeçari Abel Esquivel nga San Francisco kishin filluar të shkëmbenin mesazhe në “OnlyFans” në gusht të vitit 2019.

Esquivel ka paguar 5 dollarë në muaj për llogarinë e Varneyt, ku ka pasur pamje të Varneyt duke kryer seks oral me të huaj në shtëpinë e tij. Deklarata nuk ka specifikuar nëse ndonjëri ka qenë i mitur.

Esquiveli “u bë i interesuar në pornografi me fëmijë” gjatë pandemisë, u ka thënë ai hetuesve. Ai ka thënë se e ka përdorur “OnlyFans” për të folur me njerëz me interesa të ngjashme.

Në shtator të vitit 2020, Varney ka filluar t’i kërkojë abonentit të tij, Esquivel, për përmbajtje: “A ke video të të rinjve?”. Disa ditë më vonë, Esquiveli ia ka dërguar Varneyt tetë video që përfshinin djem të moshave tetë deri në 16 duke masturbuar dhe duke kryer akte të tjera seksuale. Ai i ka dërguar tri video të tjera, ku shihet një burrë duke sulmuar seksualisht një djalë të ri që bërtiste nga dhimbja, sipas të dhënave. Në mars të vitit 2021, Esquiceli i ka dërguar video dhe pamje të të rriturve duke kryer seks oral me fëmijë, duke përfshirë një që ishte 18 deri në 24 muajsh, sipas dosjes.

“Kjo është pak shqetësuese”, ka shkruar Varney pasi e ka shikuar materialin.

Kur Esquiveli i ka kërkuar falje, Varney i është përgjigjur, “Ha-ha është në rregull. Pamjet me të vegjlit thjesht më trembin dhe disa prej tyre dukeshin sikur nuk ishin saktësisht të gatshëm”.

Esquiveli ka përdorur mesazhet në “OnlyFans” për të diskutuar dhe ndarë material me abuzim seksual të fëmijëve me Varneyn, sipas deklaratave të policisë.

Esquiveli kishte vazhduar t’i dërgonte materiale me abuzim seksual të fëmijëve Varneyt, duke përfshirë përmbajtje që tregonin djemtë të lidhur, sipas një raporti nga Departamenti i Policisë së San Franciscos.

“OnlyFans” menjëherë ka raportuar materialin ilegal te NCMEC në maj të vitit 2021, shtatë muaj pasi ishte ndarë, duke çuar në arrestimin e Esquivelit dhe Varneyt. 

Esquiveli e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar në qershor të vitit 2023 në Gjykatën e Lartë të San Franciskos me dy vjet me kusht dhe 13 ditë burgim. Varney është dënuar me 60 muaj me kusht në korrik të vitit 2023 dhe është urdhëruar të qëndrojë larg fëmijëve. Posedimi dhe shpërndarja e materialit të abuzimit seksual të fëmijëve në përgjithësi sjell një dënim më të lehtë sesa krijimi i tij.

“E kuptoj se është ilegale”

Abuzimi seksual online i fëmijëve është i vështirë të hetohet dhe dënohet. Gati një e treta e rasteve të policisë amerikane të ekzaminuara nga Reuters janë mbyllur pa arrestim. Në disa raste hetuesit nuk kanë arritur ta identifikonin fëmijën e shfaqur në “OnlyFans”. Në të tjerat, atyre u mungonin provat.
Një grua e re nga Lakeland, Florida, ka hedhur poshtë ankesën sepse ka thënë që e fajëson pjesërisht veten, e jo partnerin e saj të rritur, për një takim të filmuar të postuar në “OnlyFans” kur ajo ishte 17-vjeçare, tregojnë të dhënat. Policia e ka mbyllur çështjen e një të miture tjetër në Houston, sepse, sipas tyre, ajo dukej se ishte, me dëshirën e saj, duke shitur përmbajtje në faqe, ku shihet me të dashurin të përfshirë në akte seksuale.

Për shkak të bllokimit që ka “OnlyFans”, hetuesit duhet të varen shumë në dëshmitarët që e shohin përmbajtjen me fëmijë dhe e raportojnë te prindërit ose policia.

Ka qenë një dëshmitar që në dhjetor të vitit 2022 u ka treguar autoriteteve se një vajzë 16-vjeçare nga New Yorku ka qenë pjesë e një videoje në “OnlyFans”. Ajo ka qenë e zhdukur për një javë, pasi është larguar me një burrë në të 30-at, të cilin e kishte takuar në një dyqan ushqimor.

Policia shpejt e kishe identifikuar burrin si Matthew Richardson. Një oficer policie e kishte gjetur llogarinë e Richardsonit, ku një agjent i FBI-së e kishte gjetur videon e tij me vajzën e mitur.
Ditën tjetër, më 9 dhjetor të vitit 2022, një oficer policie në Ohio e kishte gjetur çiftin në një veturë të vjedhur në autostradë dhe e kishte arrestuar Richardsonin. Kur agjentët e FBI-së e kishin pyetur Richardsonin nëse ka qenë në dijeni se aktet seksuale me një 16-vjeçare janë kundër ligjit, ai kishte thënë, “E kuptoj se është ilegale”, sipas deklaratës federale.

Richardson, tani 26-vjeçar, është deklaruar i pafajshëm nën akuzat e prodhimit dhe shpërndarjes së pornografisë me fëmijë.

“OnlyFans” thotë se e skanon vazhdimisht faqen e internetit dhe mund t’i çaktivizojë llogaritë që i shkelin rregullat e saj. Nga mesi i qershorit, videoja që dyshohet se shfaqte vajzën ishte hequr. Por, për 20 dollarë në muaj, njerëzit ende mund të abonohen në llogarinë e Richardsonit.
“OnlyFans” nuk ka komentuar për këtë çështje.