Botë

Të mbijetuarit e aksidentit në Bullgari jashtë rrezikut për jetë

Një vajzë 17-vjeçare dhe gjashtë të rritur janë pranuar në spitalin Pirogov në Sofje të Bullgarisë, pas aksidentit të autobusit në autostradën Struma.

Doktoresha Maja Argirova për agjencinë BTA ka thënë se asnjë nga të shtrirët në spital nuk është në rrezik për jetë dhe se ata kanë djegie në trup.

Vajza dhe pesë të rriturit ndodhen në Klinikën e Djegieve, ndërsa njëri është dërguar në Klinikën e Traumatologjisë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit të martën në afërsi të fshatit Bosnek. Autobusi është rrotulluar e më pas është përfshirë nga zjarri.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka konfirmuar se të mbijetuarit e aksidentit kanë lëndime të lehta.

“I vizituam pacientët. Bëhet fjalë për lëndime të lehta, të sanuara nga kolegët tanë, për çka jam shumë falënderues. U morëm vesh që të jemi në kontakt këtyre ditëve që pas stabilizimit të plotë të gjendjes, pacientët ti transferojmë në Shkup, për tretman të mëtutjeshëm”, deklaroi Filipçe.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Hetimeve në Bullgari, Borislav Sarafov, ka thënë se shkak i aksidentit mund të jetë ndonjë gabim i shoferit apo ndonjë problem teknik me autobusin.

Ndërsa kryebashkiaku i komunës së Pernikut, Stanislav Vladimirov, ka thënë se nuk mund të përjashtohet si shkak i aksidentit edhe moti i keq.

“Rruga është e lagësht. Kjo pesë ka një tatëpjetë shumë të madhe. Që nga dita e djeshme ka rënë shi i lehtë. Nuk mund të thuhet nëse arsyeja ishte moti i keq, por arsyet mund të jenë të shumta”, tha Vladimirov, raporton BTA.