Botë

Trumpi konfirmon se të martën hyjnë në fuqi tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës

Donald Trump

Foto: AP

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se të martën do të hyjnë në fuqi tarifat prej 25 për qind ndaj importeve të Kanadasë dhe Meksikës, raporton “BBC”. 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte marrë vendimin për t’i vendosur tarifat ndaj importeve nga Kanadaja dhe Meksika, duke cekur si arsye rrjedhjen e drogave dhe po ashtu migracionin. 

“Tarifat, që i dini, janë gati. Do të hyjnë në fuqi nesër. Ajo që duhet të bëjnë ata është të ndërtojnë fabrikat e tyre të veturave dhe gjërat tjera në SHBA, e në këtë rast s’do të ketë tarifa”, tha Trump të hënën në konferencë për media. 

Një tarifa shtesë prej 10 për qind ndaj importeve kineze po ashtu pritet të zbatohet. 
 


Tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës hyjnë në fuqi të martën

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ka bërë të ditur se tarifat e SHBA-së ndaj Kanadasë dhe Meksikës do të hyjnë në fuqi të martën, por presidenti Trump do të përcaktojë nëse do t'i përmbahet nivelit të planifikuar prej 25% siç kishte paralajmëruar.

"Kjo është një situatë fluide. Do të ketë tarifa të martën për Meksikën dhe Kanadanë. Do t'ia lëmë presidentit dhe ekipit të tij të negociojnë”, ka thënë Lutnick për Fox News.

Komentet e Lutnickut janë treguesi i parë nga administrata e Trumpit se ai mund të mos vendosë tarifat e plota të kërcënuara prej 25% për të gjitha mallrat nga Meksika dhe importet joenergjetike nga Kanadaja.

Ai ka thënë se të dy vendet kanë "bërë një punë të arsyeshme" duke siguruar kufijtë e tyre me Shtetet e Bashkuara, megjithëse ka shtuar se droga vdekjeprurëse fentanil vazhdon të rrjedhë në vend.