Përderisa tregjet e aksioneve vazhdojnë të kenë rënie pas vendosjes së tarifave të reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas BBC-së ka shumë pyetje rreth asaj se a kualifikohet kjo si “krizë” e tregut të aksioneve dhe se cili është kuptimi i të gjithë kësaj.
Fjala krizë është përdorur në mënyrë të kufizuar përgjatë dekadave dhe zakonisht i referohet rënies prej mbi 20 për qind brenda një dite, ose gjatë disa ditëve.
Më 19 tetor 1987 – e njohur gjithashtu si “E Hëna e Zezë” – tregu i aksioneve në SHBA humbi 23% të vlerës së tij brenda një dite, dhe tregjet e tjera të aksioneve patën rënie të ngjashme.
Kjo është sipas deficinionit krizë ekonomike.
Në vitin 1929, tregu i aksioneve në SHBA humbi mbi 20% të vlerës së tij brenda dy ditëve – dhe 50% brenda tre javëve. Kjo njihet ndryshe edhe si kriza e famshme e “Wall Street” e cila i parapriu “Depresionit të Madh” të viteve 1930.
Si krahasim, tregu i aksioneve në SHBA ka humbur rreth 17% të vlerës së tij dhe tani është 2% më poshtë krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar.
Ky krahasim tregon se, ndërkohë që ka pasur një rënie të konsiderueshme në tregjet financiare viteve të fundit, ajo nuk ka arritur nivelet ekstreme të rënies që karakterizuan krizën ekonomike të viteve 1929-1933.
Ekspertët dhe njohësit e fushës besojnë se “bomba tarifore” e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pritet të rrisë çmimet, të ulë kërkesën dhe të zvogëlojë fitimet, duke bërë që kompanitë të kenë vlerë më të ulët dhe të jenë më të prirura të ulin investimet dhe të shkurtojnë vendet e punës.