Tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nxitur reagime të shumta nga liderët botërorë. Këto tarifa, të cilat hynë në fuqi menjëherë u nënshkruan nga presidenti amerikan, Donald Trump, të mërkurën, gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan është zotuar se këto tarifa do të sjellin qindra miliarda dollarë në të ardhura, si dhe do të sigurojnë vende të reja të punës
Të ashpra dhe të menjëhershme kanë qenë përgjigjet e shumë fuqive botërore, ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosje të tarifave ndaj partnerëve ekonomikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Trumpi shpalli të mërkurën tarifat e reja në atë që e ka cilësuar si “dita e çlirimit” për SHBA-në nga varësia e mallrave të huaja. Në kuadër të fjalimit, Trumpi ka paraqitur një grafik të tarifave reciproke për pothuajse secilin partner tregtar, ku figuruan tarifa prej 10 për qind për Britaninë e Madhe, 20% për Bashkimin Evropian, 34% për Kinën dhe tarifa të tjera për shumë vende të tjera. Ai ka vendosur gjithashtu tarifa universale prej 10% për të gjitha importet në SHBA, që priten të hyjnë në fuqi më 5 prill në atë që po konsiderohet si një moment vendimtar për tregtinë globale.
Në mesin e liderëve botërorë që kanë kundërshtuar tarifat e reja është shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka theksuar se këto tarifa do të prodhojnë pasoja të rënda për ekonominë globale. Ajo u zotua se vendet anëtare të BE-së do të shpërfaqin unitet kundrejt tarifave.
“Ne jemi në këtë së bashku. Nëse ju luftoni kundër njërit prej nesh, ju luftoni kundër të gjithëve. Uniteti ynë është forca jonë. Evropa do të qëndrojë pranë atyre që preken drejtpërdrejt. Evropa qëndron e bashkuar. Për biznesin, për qytetarët dhe për të gjithë evropianët. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë ura me të gjithë ata që kujdesen për tregtinë e drejtë bazuar në rregulla si bazë për prosperitet”, ka thënë Von der Leyen.
Deklaratave të shefes evropiane iu bashkua edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili ka ritheksuar se vendosja e tarifave do të ndikojë negativisht në ekonominë botërore. Ai ka thënë se Qeveria britanike do të përqendrohet në marrjen e vendimeve të udhëhequra nga interesi kombëtar.
“Kjo qeveri do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur interesin kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar. Kështu kemi vepruar dhe kështu do të vazhdojmë të veprojmë: me pragmatizëm, kokë të qetë, të fokusuar në sigurinë tonë kombëtare”, ka deklaruar Starmer.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka cilësuar tarifat si “brutale dhe të pabazuara”, pas takimit të mbajtur me liderë të bizneseve dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, ku temë qendrore ishte mbrojtja e ekonomisë franceze nga vendimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Ishte e rëndësishme për ne të takohemi sa më shpejt pas njoftimeve të mbrëmshme nga presidenti Trump, të cilat janë një tronditje për tregtinë ndërkombëtare — jo vetëm për Bashkimin Evropian dhe Francën, por esencialisht për funksionimin e duhur të tregtisë globale”, ka thënë Macron.
Macroni gjithashtu ka shtuar se nuk përjashtohet mundësia e vendosjes së kundërmasave e që, sipas tij, mund të jenë në formën e ndalimit të investimeve franceze në Shtetet e Bashkuara. Ai e konsideron të pakuptimtë vazhdueshmërinë e investimeve, përderisa tarifat e reja qëndrojnë në fuqi.
Kina, që sipas ekspertëve vlerësohet si rivali kryesor tregtar i SHBA-së, po ashtu u zotua për kundërshtim të fuqishëm të tarifave amerikane ndaj eksporteve të saj, duke paralajmëruar kundërmasa për të mbrojtur interesat e saj.
Dollari amerikan ka pësuar rënie të madhe, teksa euro është forcuar, pas shpalljes së tarifave ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së, duke tronditur tregjet ndërsa investitorët kërkojnë valuta më të sigurta si franga zvicerane apo jeni japonez. Si pasojë e lëvizjeve në tregje kanë pësuar rëndë disa prej brendeve më të famshme amerikane. “Apple” pësoi rënie prej tetë për qind, ndërsa edhe më rëndë përjetoi rënie “Nike” (11%). “Amazon” ishte gjigant tjetër që përjetoi rënie të vlerës së aksioneve (7%).