Kompanitë amerikane të enjten kanë pësuar humbje triliona dollarëshe në vlerë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifa reciproke ndaj importeve të huaja, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Virtualisht çdo sektor ka pësuar humbje të mëdha derisa tregjet financiare të SHBA-së e mbyllën ditën me rënien më të madhe që kur Covid-19 pezulloi ekonominë globale pesë vjet më parë.
Bankat, shitësit me pakicë, kompanitë e veshmbathjeve, linjat ajrore dhe kompanitë teknologjike ishin ato që u goditën më së shumti, me konsumatorët që pritet të ulin shpenzimet nëse tarifat qojnë në çmime më të larta për produkte dhe shërbime.
Shumë ekonomistë i quajtën tarifat më të dëmshme sesa pritej, dhe investitorët shitën stoqet në kompanitë që ata e parashikuan se do të vuajnë më së shumti nga ajo që është taksë biznesore.
Në shumë raste ajo taksë do të paguhet nga konsumatorët. Nëse konsumatorët kursejnë shkaku i çmimeve të larta, bizneset do të prodhojnë më pak produkte dhe rritja ekonomike mund të stagnoj apo bie. Shpenzimet e konsumatorëve përbëjnë deri në 70% të aktivitetit ekonomik në SHBA.
Me një rënie prej 4.8% në renditjen e S&P 500, më shumë se 2 trilionë dollarë në vlerë janë zhdukur, sipas Howard Silverblatt, një analist i rëndësishëm i indexit në S&P Dow Jones Indices.
Disa nga sektorët ekonomik më të prekur nga kjo rënie janë: Linjat ajrore janë përballuar me rënie mesatare prej 12%, kompanitë e veshmbathjeve me mesatarisht 14.5%, shitësit me pakicë mesatarisht me 14.7%, kompanitë teknologjike me 10.1%, bankat me 9%, restorantet me 11.1% dhe prodhuesit e makinave me 6%.