Në shumë pjesë të Afganistanit nxënëset femra mes klasave VII dhe XII nuk janë lejuar të shkojnë në shkollë që nga pushteti i talebanëve, dhe shumë grave në shërbimet civile u është thënë të qëndrojnë në shtëpi
Sundimtarët e rinj talebanë të Afganistanit janë të përkushtuar në parim për arsimimin dhe punësimin për vajza dhe gra, një dallim i dukshëm nga koha e tyre e mëparshme në pushtet, dhe ata po kërkojnë “mëshirë dhe dhembshuri” nga bota për t’i ndihmuar miliona afganë të dëshpëruar në nevojë, ka thënë një udhëheqës i lartë taleban në një intervistë të rrallë.
Ministri i Jashtëm afgan, Amir Khan Muttaqi, gjithashtu ka thënë për Associated Press se Qeveria talebane dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha vendet dhe se nuk ka asnjë problem me Shtetet e Bashkuara. Ai u kërkoi Washingtonit dhe shteteve të tjera t’i lirojnë më shumë se 10 miliardë dollarë fonde që ishin ngrirë kur talebanët morën pushtetin, më 15 gusht, pas një shtrirjeje të shpejtë ushtarake në të gjithë Afganistanin dhe arratisjes së papritur të presidentit të mbështetur nga SHBA-ja, Ashraf Ghani.
“Sanksionet kundër Afganistanit nuk...do të kishin ndonjë përfitim”, ka thënë të dielën Muttaqi, duke folur në gjuhën e tij amtare gjatë një interviste në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme, me tulla të zbehta në zemër të kryeqytetit të Kabulit.
“Ta bësh Afganistanin të paqëndrueshëm ose të pasurit një qeveri të dobët afgane nuk është në interesin e askujt”, ka thënë Muttaqi, ndihmësit e të cilit janë edhe disa punëtorë nga qeveria e mëparshme, si dhe ata të rekrutuar nga radhët e Qeverisë talebane.
Arsimimi i grave
Muttaqi e ka pranuar zemërimin e botës ndaj kufizimeve të vendosura nga talebanët për arsimimin e vajzave dhe për gratë në fuqinë punëtore. Në shumë pjesë të Afganistanit, nxënëset femra mes klasave 7 dhe 12 nuk janë lejuar të shkojnë në shkollë që nga pushteti i talebanëve, dhe shumë grave në shërbimet civile u është thënë të qëndrojnë në shtëpi.
Zyrtarët talebanë kanë thënë se u duhet kohë për të krijuar rregullime të ndara gjinore në shkolla dhe në vendet e punës për t’u përputhur me interpretimet e tyre të ashpra të islamit.
Kur ata sunduan për herë të parë nga viti 1996-2001, talebanët tronditën botën duke i ndalur vajzat dhe gratë nga shkolla dhe puna, duke ndaluar shumicën e argëtimeve dhe sporteve dhe herë pas herë duke kryer ekzekutime para turmave të mëdha në stadiume sportive.
Mirëpo, Muttaqi ka treguar se talebanët kanë ndryshuar që nga sundimi i fundit.
“Kemi bërë një progres në administratë dhe politikë...në ndërveprim me vendin dhe botën. Në çdo ditë që po kalon, ne do të fitojmë më shumë përvojë dhe do të bëjmë më shumë përparim”, ka thënë ai.
Muttaqi ka sqaruar se nën Qeverinë e re të talebanëve, vajzat do të shkojnë në shkollë deri në klasën e 12-të në 10 nga 34 provincat, shkollat private dhe universitetet po funksionojnë pa pengesa, dhe 100% e grave që më parë kanë punuar në sektorin e shëndetësisë do të kthehen prapë në punë.
“Kjo tregon se jemi të përkushtuar në parim për pjesëmarrjen e grave”, ka theksuar ai.
Ai ka pretenduar se talebanët nuk i kanë në shënjestër kundërshtarët e tyre, e në vend të kësaj kanë shpallur një amnisti të përgjithshme dhe duke ofruar njëfarë mbrojtjeje. Udhëheqësit e Qeverisë së kaluar jetojnë pa u ndier të kërcënuar në Kabul, ka thënë ai, megjithëse njëri prej tyre është arratisur.
Brutaliteti i talebanëve
Muajin e kaluar grupi ndërkombëtar “Human Rights Watch” ka publikuar një raport që thoshte se talebanët vranë ose i zhdukën me forcë më shumë se 100 ish-zyrtarë të policisë dhe inteligjencës në katër provinca. Megjithatë, nuk ka pasur raporte për hakmarrje në shkallë të gjerë.
Muttaqi pretendoi se qeveria që mori pushtetin pasi koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja e rrëzoi regjimin taleban në vitin 2001, kreu sulme të mëdha hakmarrjeje kundër talebanëve.
Qindra u zhdukën ose u vranë, e mijëra të tjerë u arratisën nëpër male, ka thënë ai. Talebanët u rrëzuan për strehimin e Al Qaida-s dhe Osama bin Laden-it për organizimin e sulmeve terroriste 9/11 në SHBA.
Muttaqi këmbëngul se varfëria dhe ëndrra për një jetë më të mirë- jo frika – bënë që shumë afganë të nxitojnë në Aeroportin e Kabulit në mes të gushtit, me shpresën që do të shkojnë Amerikë. Shtrydhja e njerëzve kishte krijuar imazh të tmerrshëm të burrave të kapur pas një avioni amerikan C-17 që ishte gati për nisje, teksa të tjerët ranë në tokë kur pajisjet e uljes po largoheshin.
Ai ka spikatur se talebanët kanë bërë gabime në muajt e parë të pushtetit dhe ka thënë se “do të punojmë për më shumë reforma të cilat do të jenë në të mirë të shtetit”. Ai nuk u zgjerua më shumë në gabimet ose në reformat e mundshme.
Muttaqi u tërhoq ndaj komenteve të gjeneralit të marinës amerikane Frank McKenzie, i cili ka thënë për AP-në javën e kaluar se Al-Qaida është rritur pak në Afganistan që nga largimi i forcave amerikane. McKenzie është komandant i lartë i ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme.
Në një marrëveshje të shkurtit në vitin 2020, që përcaktonte kushtet e tërheqjes së trupave amerikane, talebanët kishin premtuar se do të luftonin terrorizmin dhe do t’u mohonin grupeve terroriste strehë të sigurt.
Premtimet e mëdha
Muttaqi të dielën ka vënë në dukje se talebanët e kanë mbajtur premtimin, me një zotim se nuk do t’i sulmojnë forcat amerikane dhe të NATO-s në fazën përfundimtare të tërheqjes, e cila mori fund në fund të gushtit.
“Për fat të keq, gjithmonë ka akuza kundër Emirateve Islamike dhe Afganistanit, por asnjëherë nuk ka dëshmi”, ka theksuar Muttaqi. “Nëse McKenzie ka ndonjë dëshmi , duhet ta tregojë atë. Me shumë vetëbesim, mund të them se kjo është një akuzë e pabazë”.
Ndërkohë, militantët nga grupi i Shtetit Islamik kanë shtuar sulmet ndaj patrullave talebane dhe minoriteteve religjioze për katër muajt që shkuan. Dega e IS-it në Afganistan ka shënjestruar xhamitë shiite në kryeqytetet provinciale të Kunduzit dhe Kandaharit, duke kryer sulme të shpeshta në makinat e talebanëve.
Muttaqi, sidoqoftë, ka thënë se talebanët kanë fituar epërsinë javët e fundit, duke treguar se nuk ka pasur sulme të mëdha në muajin e fundit. Aftësia e Washingtonit për të gjurmuar aktivitetet e IS-it në Afganistan janë përgjysmuar që nga tërheqja e SHBA-së.
Muttaqi ka treguar se nuk e parashikon bashkëpunimin me SHBA-në në betejën kundër grupit të Shtetit Islamik.
Megjithëse ai është shprehur se ka shpresë që me kohë “Amerika dalëngadalë do t’i ndryshojë politikat e veta ndaj Afganistanit”, pasi mendon se një vend i qëndrueshëm taleban është përfitim edhe për SHBA-në.
“Pika ime e fundit për Amerikën, për kombin e Amerikës: Ju jeni një komb shumë i madh dhe duhet të keni durim të mjaftueshëm dhe një zemër të madhe për të guxuar që t’i bëni ndryshimet në politikën mbi Afganistanin sipas rregullave ndërkombëtare dhe rënies, e për t’iu dhënë fund dallimeve, të shkurtojmë largësinë mes nesh dhe të zgjidhni marrëdhënie të mira me Afganistanin”, ka përfunduar ai.