Talebanët thonë se do t’i mbyllin të gjitha organizatat joqeveritare si vendore ashtu edhe ndërkombëtare në Afganistan, të cilat punësojnë gra afgane, raporton agjencia “AP”.
Ky vendim vjen dy vjet pasi talebanët u thanë OJQ-ve ta pezullojnë punësimin e grave afgane, mbi pretendimet se ato nuk po e mbajnë shaminë.
Në një letër të publikuar të dielën mbrëma në platformën “X”, Ministria e Ekonomisë ka paralajmëruar se dështimi për t’iu përmbajtur këtij urdhri të fundit do të rezultojë me humbjen e licencave të OJQ-ve për të operuar në Afganistan.
Ministria ka thënë se është përgjegjëse për regjistrimin, koordinimin e mbikëqyrjen e gjitha aktiviteteve të kryera nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në letër thuhet se Qeveria sërish po urdhëron që të ndalohet punësimi i grave në institucionet që nuk kontrollohen nga talebanët.
“Në rast të mungesës së bashkëpunimit, gjitha aktivitetet e atij institucioni do të ndërpriten dhe po ashtu do të anulohet edhe licenca që lëshohet nga Ministria”, thuhet në letër.